Pistorius diskuton politikën e sigurisë gjatë vizitës në SHBA dhe Kanada

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius do të nisë sot një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Ndalesa e tij e parë është Nju Jorku ku pritet të mbajë një fjalim para përfaqësuesve të Komitetit Hebre Amerikan, një organizatë që përfaqëson interesat hebraike.

Pistorius ka planifikuar të takohet nesër me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.

Në rendin e ditës është edhe një vizitë në kompaninë amerikane “Boeing”, prodhuesi kryesor i avionëve komercialë dhe të mbrojtjes.

Gjatë vizitës, Pistorius ka planifikuar të takojë homologun e tij amerikan, Lloyd Austin në Uashington.

Ministri gjerman i mbrojtjes gjithashtu do të udhëtojë në Otavë për të zhvilluar bisedime me homologun e tij kanadez, Bill Blair.

Pistorius pritet të raportojë për përfshirjen ushtarake të Gjermanisë në NATO si dhe kontributet e saj në stabilizimin në zonat e konfliktit.

Lufta e vazhdueshme në Ukrainë do të jetë gjithashtu pjesë e diskutimeve.