Maqedonia e Veriut “mbyll gojën”/ Nesër votime edhe për qeverinë, edhe për Presidentin. Taravari, si "king maker"

Të mërkurën qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë për dy palë zgjedhje, për raundin e dytë të presidencialeve dhe për parlamentaret. Partitë janë shprehur optimiste për një numër më të lartë të pjesëmarrësve se sa në 24 prill ndërsa mes partive shqiptare vijon debati për ndasitë dhe koalicionet.

Maqedonia e Veriut nga mesnata ka hyrë në heshtje zgjedhore, pasi nesër zhvillohet procesi i dyfishtë elektoral, ai i zgjedhjeve parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Mbi 1.8 milionë qytetarë do t’u drejtohen kutive të votimi. Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga 1755 kandidatë që garojnë do të zgjidhen 120 deputetë sipas modelit proporcional.

Në ditën e fundit të fushatës, Dimitar Kovaçevski tha se vota për LSDM është votë për të ardhmen, ndërsa VMRO- DPMN bëri thirrje për pjesëmarrje në votime, që shteti të kthehet në duart e qytetarëve.

Koalicioni Fronti Shqiptar që drejtohet nga BDI e mbylli fushatën në Tetovë, nga ku u shpreh se më 8 maj pret sukses më të madh se më 24 prill.

Ndërsa koalicioni shqiptar opozitar, VLEN që drejtohet nga Arben Taravari dhe ka marrë ftesë nga VMRO-DPMNE për krijimin e qeverisë së ardhshme, nëse fiton më 8 maj, tha se së bashku “do të vrapojnë” edhe më fuqishëm sesa në fushatë.

Ndërkohë të mërkurën Maqedonia e Veriut mbahen edhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku në balotazh janë Stevo Pendarovksi nga LSDM dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, e cila fitoi bindshëm në raundin e 24 prillit.

Partitë shqiptare gjatë fushatës nuk kanë folur për mbështetjen e asnjë prej dy kandidatëve, duke ua lënë në dorë qytetarëve të zgjedhin për cilin do të votojnë.

E në fakt debati politik është përqendruar tek ajo që analistët e kanë cilësuar përçarje e shqiptarëve që garojnë të ndarë me dy partitë rivale BDI dhe Vlen.