Partitë opozitare në Kosovë akuzojnë qeverinë “Kurti” për keqmenaxhim të buxhetit

Investimet e fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Qenrat Klinike Universitare të Kosovës, po konsiderohen të kryera sa për sy e faqe, nga opozita. Ata akuzojnë qeverinë si të paaftë në përmirësimin e kushteve për punëtorët shëndetësor.

Partitë opozitare në Kosovë akuzojnë qeverinë për keqmenaxhim të buxhetit, në lidhje me investimet në Qendrën Klinike Universitare të vendit.

Deputeti i LDK, Armend Zemaj u shpreh për Ekonomia Online se investimet po bëhen vetëm sa të shpenzuar buxhetin

“Mënyra se si janë bërë dhe po vazhdohet të bëhet me një strategji po e pengon pacientin dhe ofrimin e shërbimeve sidomos që grumbullohen në vitin e fundit zgjedhor.

Kjo është edhe si vërejtje por edhe si një keqpërdorim në gjithë buxhetin që ka qenë ndër vite tash po tentohet të shpenzohet kujtdo që i jepet mundësia”, u shpreh Zemaj.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e konsideron një mangësi të madhe mosplotësimin e kushteve të punës ndaj mjekëve.

“Dështim total i kësaj qeverie në sektorin e shëndetësisë, jo që shëndetësia jonë ka qenë në një stad të lartë, mirëpo me këtë qeverisje gjendja në shëndetësinë tonë është përkeqësuar edhe më shumë në raport me vitet e kaluara.

Ka qenë një paaftësi e qeverisë që me kohë të ndërmerr veprime për të parandaluar ikjen e profesionistëve shëndetësorë edhe nga sektori publik në sektorin privat, por edhe prej Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Ata pretendojnë se sektori i Shëndetësisë është përkeqësuar gjatë qeverisjes së fundit.