"Investitori strategjik" i shesllongjeve, Artan Gaçi merret në pyetje nga SPAK
Që prej orës 9:00 të mësohet se ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Artan Gaçi është paraqitur ditën e sotme në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
Prokuroria e Posaçme, pas arrestimit të ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, ka sekuestruar pjesën e dytë të sipërfaqes së investimit strategjik të bashkëshortit të Olta Xhaçkës.
SPAK ka regjistruar një procedim penal përsa i përket një kallëzimi të bërë nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, i cili pretendon se nga ana e Bashkisë Himarë, e cila drejtohej nga Jorgo Goro, bashkëshorti i Xhaçkës ka përfituar një pronë në mënyrë të parregullt për të bërë të mundur ndërtimin e një trualli tjetër në këtë pronë me dokumenta jo të rregullta dhe dyshimet janë se janë dokumenta të falsifikuara.
Nga ana tjetër, Artan Gaçi duhet të japë shpjegime përballë SPAK se si e ka përfituar ai këtë pronë për të marrë statusin e “investitorit strategjik” dhe cilat janë praktikat që janë ndjekur.
Prokuroria e SPAK së bashku me agjentët e BKH kanë vajtuar edhe në Bashkinë e Himarës dhe kanë sekuestruar të gjithë dokumentacionin përkatës, për të cilën Fredi Beleri pretendon se prona është tjetërsuar në mënyrë që Artan Gaçi ta përfitonte dhe të merrte statusin e investitorit strategjik.
Në lidhje me këtë tokë, në atë që thuhet në kallëzimin e Belerit, është një sipërfaqe prej 5 mijë e 512 metra katrorë.
DOSJA
Kryetari në detyrë i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i cili doli humbës në zgjedhjet e fundit vendore, i ndaluar në shtunën më 23 mars për “Shpërdorim detyre”, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se në dy episode të ndryshme, në kundërshtim me ligjin ka bashkëpunuar me persona të tjerë për kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në favor të subjekteve private.
“Ky shtetas(Jorgo Goro), në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të”, citohet në njoftimin që SPAK.
Sipas prokurorisë, ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim S.M. SPAK shpjegoi se aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar me vendim gjykate.
Në epsidoin tjetër Goro akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në bashkëpunim me drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në këtë njësi vendore, shtetasin J.B., ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Sipas SPAK, Jorgo ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës që është pajisur me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, që do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë në total prej 10 mijë e 592 m2, të cilat janë kufitare.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Vlorë në kohën kur janë kryer këto transaksione, Bilbil Aliaj dhe juristi i këtij institucioni, V.Gj. akuzohen se , me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, kanë pranuar dokumentacionin ligjor, përpunuar këtë të fundit dhe lëshuar një vërtetim nga dokumentet hipotekorë, pa kryer asnjë verifikim ligjor apo në terren nga ato që ligji i detyron, duke kryer në këtë mënyrë regjistrimin fillestar të një pasurie të paluajtshme në pronësi shtet, të llojit tokë buqësore, me sipërfaqe 5512 m2, në favor të shtetasit F.M. dhe më pas të trashëgimtarëve të tij. “Kjo pasuri, siç ka rezultuar nga hetimi paraprak deri në këtë fazë, buron nga dokumenta tërësisht të falsifikuara”, citohet në njoftim dhe sqarohet se zyrtarët e kadastrës akuzohen për “shpërdorim detyre”.
SPAK ka proceduar për falsikim të dokumenteve, të vulave, stampave ose formularëve shteasin S.M., i cili akuzohet se ka përdorur më shumë se një herë, pranë disa institucioneve por edhe organeve proceduese, dokumenta dhe formularë të falsifikuar, veprime këto që më pas kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të trashëgimlënësit të tokës shtet të ndodhur në Dhërmi, me sipërfaqe 5512 m2.
“Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, mes të cilëve dhe shtetasit nën hetim, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin A.G., duke sjellë njëkohësisht edhe përfitim material të padrejtë për shtetasin nën hetim S.M”, thuhet në njoftim.
Me kërkesë të SPAK, gjykata respektive ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj Jorgo Goros dhe përfituesit të tokës, shtetasit S.M.. Për tre zyrtarët e tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre, është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”.
Goro i cili garoi për një mandat të katërt nën siglën e Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës në maj të vitit të kaluar, vijoi ta ushtronte detyrën megjithëse fitues u shpall rivali i tij, Alfred Beleri. Ky i fundit nuk arriti të kryente betimin pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, vepër penale për të cilën u deklarua fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg më 5 mars.
Sipas të dhënave të publikuara në Qendër Kombëtare të Biznesit, QKB për objektin e investimit “Dremades Lxury Suites”, të përbërë nga një hotel me pesë yje, i nivelit të lartë, që do të ketë kapacitet prej 106 suitash, shënohet se projekti zë një sipërfaqe prej 10 mijë e 592 m2 – sipërfaqe e njëjtë me atë të shënuar në njoftimin e SPAK për tokën e zotëruar nga shoqëria e Gaçit.
Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Himarë për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management' i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.
Deputetë të Partisë Demokratike kërkuan në qershor të vitit 2022 heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçkës për përfitime antiligjore nëpërmjet statusit të investitorit strategjik dhënë bashkëshortit të saj. kjo kërkesë erdhi pasi mazhoranca refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.
Më vonë, Gjykata kushtetuese i kërkoi Kuvendit të dërgonte në këtë gjykatë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës, por në qershor të 2023-it, anëtarët socialistë në Këshillin e Legjislacionit kërkuan që të rikthejnë në pikën zero diskutimin për këtë çështje duke propozuar rimarrjen në shqyrtim nga Këshilli i Mandateve.




