Ish-lideri i Agimit të Artë, Nikos Michaloliakos do të lirohet nga burgu
Nikos Michaloliakos, ish-udhëheqësi i grupit neo-nazist "Agimi i Artë", i cili po vuante një dënim shumëvjeçar për drejtimin e një organizate kriminale, do të lirohet nga burgu. Këshilli Gjyqësor i Kundërvajtjeve të Lamisë vendosi se ish-lideri i "Agimit të Artë" plotëson kërkesat statutore për lirim të parakohshëm me kusht pasi ka kryer tre të pestat e dënimit 13-vjeçar.
Në seancën dëgjimore, prokurori publik argumentoi kundër lirimit të Michaloliakos, duke thënë se megjithëse i plotëson kërkesat statutore, ai nuk ka treguar asnjë pendesë për veprimet e tij apo përmirësimin moral, duke përmendur shkrimet e tij të shumta ku Michaloliakos pretendon se është i burgosur për shkak të bindjeve të tij politike.
Këshilli, megjithatë, vlerësoi se artikujt që rifikojnë ideologjinë neonaziste nuk përbëjnë veprime të paligjshme. Atij i ndalohet largimi nga Atika, ndërsa i kërkohet të paraqitet në stacionin e policisë lokale (në Pefki) një herë në muaj dhe nuk lejohet të takohet me asnjë nga të pandehurit në çështjen e krimit të "Agimit të Artë", shkruajnë mediat greke.
Michaloliakos u dënua në tetor 2020 me 13 vjet burg për drejtimin e një organizate kriminale të fajësuar për krime të shumta të dhunshme të urrejtjes në një vendim historik, pas një gjyqi pesë-vjeçar të dhjetëra zyrtarëve të lartë, anëtarëve dhe mbështetësve të "Agimit të Artë", një organizatë e themeluar si një grup neo-nazist në vitet 1980 që u ngrit për t'u bërë forca politike e tretë më e madhe e Greqisë gjatë një krize të madhe financiare në dekadën e mëparshme.
Njëmbëdhjetë ish-deputetë të tjerë të parlamentit u burgosën nga pesë deri në shtatë vjet për anëtarësim në një organizatë kriminale, ndërsa një bashkëpunëtor i partisë u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e këngëtarit grek të repit Pavlos Fyssas në një sulm të vitit 2013 që shkaktoi goditjen kundër partisë.
