“102 viktima në 8 vjet” - Sfidat e punëtorëve në Kosovë, ATRC: Gjyqësori s’i trajton aksidentet në punë me seriozitet
Pasiguria në punë, zvarritja e gjyqeve dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore janë tri nga sfidat me të cilat përballën punëtorët në Kosovë. Mbi 100 humbën jetën në vendin e punës në 8 vite, dhe 100 të tjerë mbetën të plagosur vetëm vitin e fundit sipas të dhënave
Mbi 100 punëtorë humbën jetën në vendin e punës brenda tetë viteve të fundit në Kosovë, sipas të dhënave të Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim.
Lirika Bakija: “Që nga viti 2016 e deri në fund të viti 2023 janë 1700 aksidente edhe prej tyre 102 janë më fatalitet edhe trendi vazhdon që të ketë rritje të vdekjes në vendin e punës. Muajt e verës janë kryesisht muajt ku punëtoret janë më të rrezikuar që të vdesin në vendin e punës për shkak të temperaturave të larta”
Lirika Bakija, këshilltare ligjore në ATRC, tha për Kosovaonline se në këto raste kanë gjetur vonesa në hetime dhe ngritje të aktakuzave nga institucionet përkatëse, duke çuar kështu në procedura gjyqësore të zvarritura.
Lirika Bakija: “Nga raporti të cilin e kemi realizuar sa i përket punës së gjyqësorit, vetëm 20 për qind e rasteve të punës kanë marr epilog përfundimtar edhe është nxjerrë aktgjykim për ato lëndë. Ku prej 463 lëndëve vetëm 88 janë zgjedhur e që tregon shumë për gjyqësorin në kuptimin që punëtoret në njëfarë forme, nga numrin i ulët i këtyre rasteve që zgjidhen mandej edhe këta në një farë forme stopohen edhe nuk e shohin të arsyeshëm të dërgojnë lënde në Gjykatë për shkak të zvarritjeve dhe kohëzgjatjes shumë të madhe që ju bëhet”.
Ndërtimi është sektori më i rrezikshëm për punëtorët edhe në Kosovë, ndërsa mungesa e kontratave të punës ose moszbatimi i saj është problem kryesor.
Lirika Bakija: “Në përgjithësi siguria dhe shëndeti në punë është në nivel jo të kënaqshëm, zbatimi i ligjit të punës por gjithashtu edhe zbatimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë mbetet sfidë për punëdhënësit. Si dhe për qeverinë që ta monitoroj zbatimin e këtyre dy ligjeve”.
Mungesa e një ligji për Sigurimet Shëndetësore është një tjetër sfidë për punëtorët në Kosovë.


