Anija “Lissus” shpëton nga mbytja 36 emigrantë në Detin Egje
Anija ”Lissus” shpëtoi 36 emigrantë, mes tyre edhe fëmijë, me kombësi të ndryshme, që rrezikonin të mbyteshin.
Lajmi bëhet me dije nga Forca Detare Shqiptare, e cila shprehet se gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, anija “Lissus”, e cila ndodhet në mision në Detin Egje, ndihmoi në finalizimin me sukses të operacionit të kërkim-shpëtimit në Detin Egje.
Operacioni u zhvillua për t’i dhënë ndihmë emigrantëve të paligjshëm të cilët lundronin në kushte të vështira lundrimi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Mjeti i tipit gomone me emigrantë ishin nisur nga Turqia me destinacion Greqinë.
Pas koordinimit të anijes “Lissus” me Rojat Bregdetare të Greqisë dhe Turqisë, u bë i mundur shpëtimi i 36 emigrantëve, mes tyre edhe fëmijë, me kombësi nga Sudani, Liberia dhe Jemeni.
Emigrantët, 18 meshkuj, 14 femra dhe 4 fëmijë në gjendje të mirë shëndetësore, u morën nga Roja Bregdetare Turke për vazhdimin e procedurave të mëtejshme.
“Roja bregdetare vazhdon misionin e saj fisnik në shpëtimin e jetëve njerëzore, në kuadër të Aleancës”, shprehet Forca Detare.
