Pse u fsheh sulmi me thikë i burrit të ministres Ibrahimaj ndaj kreut të ATK-së? Vocaj "çudit" dynjanë me përgjigjen epike
Një ngjarje në përmasat e skandalit ka ndodhur mëngjesin e datës 20 Nëntor 2023, në mes të Tiranës, por që është mbyllur nga përfshirja e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Autori i goditjeve me thikë është Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes, në atë kohë ministre e Financave Delina Ibrahimaj, i cili ka goditur disa herë me thikë drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK) Eri Koshaj.
Rasti në fjalë u bë publik vetëm pak ditë më parë, ndërsa është pranuar edhe nga vetë ministrja Ibrahimaj.
Në konferencën e jashtëzakonshme për mediat kreu i Policisë i Tiranës Tonin Vocaj është pyetur për fshehjen e këtij rasti.
Ai tha se rasti ka qenë i vitit të kaluar dhe se policia i ka kaluar materialet në prokurori, ndërsa sqaroi se nuk ishte një ngjarje sensitive nga këto që publikon policia në përditshmërinë e punës së saj.
“Lidhur me këtë ngjarje, ngjarja është e vitit të kaluar. Lidhur me këtë ngjarje strukturat e hetimit të komisariatit nr.1. kanë kryer procedurat. Materialet janë çuar në prokurori, për veprën penale goditje për shkak të detyrës.
Është e vërtetë fakti se nuk është bërë e mundur që të kapte menjëherë autori i kësaj ngjarje.
Lidhur me pyetjen tuaj se policia ka pasur një mungesë transparence, kjo ngjarje nuk futet te ngjarjet sensitive për të cilat policia jep njoftime për shtyp. Të gjitha materialet janë referuar në prokurori, dhe është prokuroria që po heton këtë çështje.”, tha kryepolici i Tiranës, Tonin Vocaj.
POR ÇFARË KA NDODHUR NË NËNTOR 2023?
Në 21 nëntor 2023 në komisariatin Nr.1 është paraqitur Eri Koshaj me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Agjensisë së Trajtimit të Kredive. Ai bën kallëzim penal për Andi Ibrahimajn, burrin e ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj. Sipas tij, Andi Ibrahimaj e kishte pritur në rrugë dhe e kishte goditur me thikë në trup disa herë.
Shkak për këtë sulm, siç ka deklaruar Eri Koshaj, ishte fakti se prej kohësh, Ibrahimaj e kërcënonte për të dhënë dorëheqje. Para sulmit ai pretendon se ishte përndjekur nga Ibrahimaj. Nga ekzaminimi ka rezultuar se në trupin e Eri Koshajt u konstatuan dërrmishje në pjesën e fundshpinës të shkaktuara nga një mjet prerës.
Delina Ibrahimaj u largua nga drejtimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shtator 2023, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht. Pas kallëzimit, policia kërkoi burrin e ministres por nuk e gjeti në shtëpi. Nga sistemi TIMS rezultoi se ai ishte larguar nga Shqipëria. Çështja u mbyll më pas nga prokuroria e Tiranës.
Heshtje në polici
Vetëm pas 6 muajsh, policia e publikoi tentativën për plagosje të konfliktit që ndodhi pranë Pazarit të ri në Tiranë mes Andi Ibrahimajt dhe Eri Koshajt. Vetëm pas lajmi u publikua nga Neësbomb, policia lëshoi një njoftim ku personazhet e plagosjes përmenden me iniciale.
Ndërkohë që nuk lë njoftim pa dhënë për aksidente apo vjedhje banale, kuptohet se ngjarja që përbën një skandal qeveritar u mbajt e fshehtë dhe u referua me akuzën “Goditje për shkak të detyrës” në prokurori, megjithëse burri i ministres mbante në dorë një thikë, sipas denoncimit.
Mbyllja e hetimit nga prokuroria
Prokuroria e Tiranës e mbylli hetimin pa dënuar bashkëshortin e ministres, megjithëse pas ngjarjes ky u arratis jashtë vendit. Megjithëse Koshaj më 21 nëntor 2023 në kallëzimin e tij ka deklaruar se bashkëshorti i ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj e ka goditur me thikë në trup.
Megjithëse mjeku ligjor ka konstatuar plagën e Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive me thikë nga Andri Ibrahimaj, sërish hetimet janë mbyllur.




