Pasimi perfekt, Kroos modest: Meritat i takojnë Viniciusit, ja pse
Toni Kroos zhvilloi një ndeshje të madhe në Mynih përballë Bayernit, ish-skuadrës së tij.
Mesfushori gjerman “shpiku” një asist fantastike për Vinicius Junior, që zhbllokoi gjysmëfinale e parë të Championsit.
Bayerni dhe Reali e mbyllën në barazim 2-2 duelin e parë mes tyre, ndërkohë që në datën 8 maj do të mësohet në mitikun “Santiago Bernabeu” skuadra që do të kalojë në finalen e 1 qershorit në Wembley.
“Vura re që qendërmbrojtësit e Bayernit e ndiqnin Vinin në çdo moment.
Unë e di që Vini gjithmonë vrapon në hapësira.
Kështu që gjithë meritat i takojnë atij.
Ai ia doli të krijonte një hapësirë në mes të mbrojtjes bavareze.
Pasimi im ishte ok”, u shpreh modesti Kroos, duke i kaluar sulmuesit brazilian të gjithë meritat e golit të parë të “Los Blancos”.
Leroy Sane dhe Harry Kane përmbysën përkohësisht rezultatin për vendasit në pjesën e dytë, por Vinicius Jr realizoi të dytin personal me penallti dhe evitoi humbjen e Realit.