Mesazhi me tritol për Tonin Stërkajn, reagon Unioni i Gjyqtarëve: Sulm i pabesë e burracak me qëllim frikësimin e magjistratëve

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, shpreh shqetësimin e tij në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur dje, në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në derën e banesës së kolegut gjyqtar Tonin Sterkaj.

“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë uron që kolegu ynë Tonin Sterkaj dhe familjarët e tij të jenë mirë dhe shpreh mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjyqtarë ndaj kolegut Z.Sterkaj.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dënon me forcë këtë akt të shëmtuar kriminal, i cili nuk drejtohet vetëm ndaj kolegut gjyqtar Z.Tonin Sterkaj por edhe ndaj të gjithë magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Republikën e Shqipërisë, të cilët me përkushtim dhe në kushte të një ngarkese jashtëzakonisht të lartë pune, presioni mediatik e politik, përpiqen çdo ditë të japin drejtësi.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thekson se, ky sulm i pabesë e burracak ka për qëllim jo vetëm frikësimin e magjistratëve por edhe cënimin e rendit e të sigurisë publike, si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë!

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet ligjzbatuese të veprojnë më shpejt se rastet e mëparshme, për të identifikuar, kapur e vënë para përgjegjësisë penale çdo autor të mundshëm të këtij veprimi të shëmtuar kriminal, duke dhënë në mënyrë të veçantë mesazhin se, magjistratët në Republikën e Shqipërisë kanë mbështetjen maksimale të Shtetit, për të kryer detyrën e tyre në mënyrë të qetë e pa rrezikuar jetën, shëndetin, pronën e tyre dhe të familjarëve të tyre nga krimi, si një ndër kushtet themelore për forcimin e ligjit, shtetit të së drejtës dhe prosperitetin e vendit.

Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i përcjell edhe një herë angazhimin e tij maksimal për të bashkëpunuar me organet shtetërore, në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, garantimit të të drejtave dhe lirive të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe luftën pa kompromis ndaj çdo fenomeni negativ të vërejtur në radhët e punonjësve të sistemit të drejtësisë!”, thekson në reagimin e tij Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.