VIDEO/ Me kapuç dhe doreza të bardha, dalin pamjet e tritolvënësit në shtëpinë e gjyqtarit të Shkodrës Tonin Stërkajt
“Ora News” ka siguruar pamjet se si autori vendosi tritolin në derën e banesës së gjyqtarit të Shkodrës Tonin Stërkajt në orët e para të së dielës.
Pas shpërthimit të lëndës plasese në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj, policia e Shkodrës prej një dite më parë ka caktuar dy punonjës policie.
Punonjësit do të jënë në shërbim të Sterkajt gjatë lëvizjes së tij dhe të familjarëve deri në një afat të pa përcaktuar kohorë. Ndërkohë, KLGJ mblidhet sot ku do të jetë mbledhja për situatën e gjyqtarit Sterkaj.
REAGON dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, shpreh shqetësimin e tij në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur dje, në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në derën e banesës së kolegut gjyqtar Tonin Sterkaj.
“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë uron që kolegu ynë Tonin Sterkaj dhe familjarët e tij të jenë mirë dhe shpreh mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjyqtarë ndaj kolegut Z.Sterkaj.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dënon me forcë këtë akt të shëmtuar kriminal, i cili nuk drejtohet vetëm ndaj kolegut gjyqtar Z.Tonin Sterkaj por edhe ndaj të gjithë magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Republikën e Shqipërisë, të cilët me përkushtim dhe në kushte të një ngarkese jashtëzakonisht të lartë pune, presioni mediatik e politik, përpiqen çdo ditë të japin drejtësi.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thekson se, ky sulm i pabesë e burracak ka për qëllim jo vetëm frikësimin e magjistratëve por edhe cënimin e rendit e të sigurisë publike, si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë!
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet ligjzbatuese të veprojnë më shpejt se rastet e mëparshme, për të identifikuar, kapur e vënë para përgjegjësisë penale çdo autor të mundshëm të këtij veprimi të shëmtuar kriminal, duke dhënë në mënyrë të veçantë mesazhin se, magjistratët në Republikën e Shqipërisë kanë mbështetjen maksimale të Shtetit, për të kryer detyrën e tyre në mënyrë të qetë e pa rrezikuar jetën, shëndetin, pronën e tyre dhe të familjarëve të tyre nga krimi, si një ndër kushtet themelore për forcimin e ligjit, shtetit të së drejtës dhe prosperitetin e vendit.
Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i përcjell edhe një herë angazhimin e tij maksimal për të bashkëpunuar me organet shtetërore, në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, garantimit të të drejtave dhe lirive të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe luftën pa kompromis ndaj çdo fenomeni negativ të vërejtur në radhët e punonjësve të sistemit të drejtësisë!”, thekson në reagimin e tij Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.



