Java e Imunizimit, Koçiu publikon videon sensibilizuese nga banda e ushtrisë: Vaksinimi mbron shëndetin
Tirana i është bashkuar Javës Botërore të Imunizimit e cila zhvillohet çdo vit në fund të muajit prill, me qëllim promovimin e vaksinimit jetëshpëtues të qytetarëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka publikuar në rrjetet sociale një video sensibilizuese nga performanca e veçantë e bandës së Forcave të Armatosura mbi rëndësinë e vaksinimit, si i vetmi mjet për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe mbrojtjen e shëndetit.
“Kalendari Kombëtar i Vaksinimit është pasuruar me vaksinat e reja falas, siç është ajo e rotavirusit për periudhën e verës”, nënvizon ministrja e Shëndetësisë.
Koçiu u drejton një apel edhe prindërve që të mos hezitojnë të vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të vaksinimit.
Vaksinimi në kohë për fëmijët është shumë i rëndësishëm edhe mjekët pediatër në përditshmërinë e punës së tyre i ndërgjegjësojnë prindërit për vaksinimin në kohë të fëmijëve të tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit.
Në të gjithë botën nga 24-30 prill shënohet Java Botërore të Imunizimit.
Kjo javë synon të evidentojë nevojën e promovimit të vaksinave për të mbrojtur popullsinë e të gjitha moshave ndaj sëmundjeve të ndryshme.

