Socialistët bllokojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak, rrëzohen dy kërkesat e opozitës: Fshihen pas gishtit se janë fajtorë
Rrëzohen kërkesat e paraqitura nga opozita për mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak të Tiranës, pas skandalit ‘5D’ që ka përfshirë Bashkinë e drejtuar nga Erion Veliaj.
Ilir Alimehmeti, kreu i grupit të këshilltarëve të opozitës, tha se kjo është fshehje pas gishtit, ndërkohë që kemi drejtorë të arrestuar për grabitjen e fondeve publike.
“Kundra korrupsionit qëndrojmë të gjithë bashkë, i paraqitëm kërkesën me gjithë firmat, janë 21 këshilltarë që kanë firmosur, por Këshilli Bashkiak nuk e sheh si urgjencë, edhe pse janë vjedhur miliona euro, edhe pse kemi drejtorë të arrestuar. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë një seancë të posaçme, ndërsa mazhoranca refuzon të bëhet transparencë mbi fondet publike”, tha Alimehmeti.
Ai tha se kemi kërkuar një audit të jashtëm për financat, të gjejnë ata që të shikojnë nëse ka korrupsion dhe vjedhje në këtë Bashki. Alimehmeti shtoi se fakti që e refuzojnë auditin e jashtëm, ata kanë frikë.
“Këshilli Bashkiak i Tiranës, vazhdon të mbajë me veprime ose jo një pozicion të paqartë përballë këtyre që po ndodhin. Të vetmit ata që nuk duan të merren me këtë punë janë anëtarët e këshillit bashkiak të Tiranës. I bëmë ftesë dhe me shkresë me dt.5 prill, për t’u bashkuar dhe për të kërkuar një mbledhje urgjente. Jo vetëm që nuk iu bashkuan mendimin, por gjejnë dhe situata që ju nuk kishit firma mjaftueshëm.
Ne sot paraqitëm një kërkesë me 21 firma, të gjithë të opozitës dhe menjëherë nisën artificat, jo kjo do të diskutohet në një mbledhje tjetër. Nëse ata duan t’i lajnë duart dhe të fshihen pas gishtit për të mos bërë detyrën e tyre janë fajtorë më veprim ose mos veprim, në këtë rast janë fajtorë me mos veprim. Është kërkuar ditën e sotme që në mëngjes për mbledhje urgjente dhe audit i jashtëm për financat, të gjejnë ata nëse ka vjedhje kjo bashki, e nëse nuk ka do të jemi të gjithë të lumtur. Fakti që ata gjejnë artifica, tregojnë se ata kanë frikë”, tha Alimehmeti.
Këshilltari Endrit Braimllari tha se korrupsioni ka kapur këtë institucion që drejtohet nga Erion Veliaj nga themelet.
“Janë 9 zyrtarë të tij të arrestuar, Erion Veliaj është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nëse do të kishim një SPAK të pavarur, çështja e inceneratorit të Tiranës do të ishte zbardhur tani dhe përgjegjësit do të kishin dalë para drejtësisë. Gjithashtu dosja ‘5D’, kemi të bëjmë me dy çështje që kanë tjetërsuar votat në Tiranë”, tha Braimllari.
