Ktheu deputetët e përjashtuar në grupin e PD-së, Basha kallëzon në SPAK Nikollën: Ka shpërdoruar detyrën
Partia demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha ka kallëzuar në SPAK kryetaren e kuvendit Lindita Nikolla për shpërdorim detyre. Në shkresën prej 14 faqesh të firmosur nga Enkelejd Alibeaj renditen së paku pesë raste që për demokratët është realizuar shkelja e rregullores së parlamentit.
Së pari në dokument renditet fakti se në 2 shtator të vitit 2023 PD ndryshoi statutin duke e vendosur Lulzim Bashën edhe kryetar të grupit parlamentar e më tej, kuvendi është njoftuar për shkarkimin e Gazmend Bardhi nga detyra. Por kjo nuk është pasqyruar në strukturën e parlamentit.
Po ashtu në ankesë thuhet se Lindita Nikolla në cilësinë e kryetares së kuvendit, ka vijuar të njoftojë deputetin gazmend bardhi për mbledhjet e konferencës së kryetarëve, edhe pse ishte kërkuar zëvendësimi i tij.
Por edhe shkarkimi i dy këshilltarëve të grupit pa shkresë të firmosur nga Basha janë cilësuar të padrejta në dokumentin e firmosur prej Alibeajt.
Konflikti mes dy grupimeve demokratëve shfaqet edhe në dokumentin për ulëset në parlament. Lulzim Basha ka kërkuar largimin e Gazmend Bardhit nga karrigia pranë tij dhe uljen aty të Arbi Agalliut.
Po ashtu edhe Agron Gjekmarkaj është propozuar të zhvendoset në radhë dhe në vend të tij të afrohej Kreshnik Çollaku, ndërsa Selaudin Jakupllari duhej të zinte vendin e Lefter Gështenjës dhe Andia Ulliri atë të Asllan Dogjanit. Në vend të Saimir Korreshit kërkohet që të vendosej merita Bakiu.
Por edhe propozimi i bërë në tetor nuk është realizuar, ashtu si dhe zëvendësimi i Grida Dumës me Oriola Pampurin në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.
Ndërkaq në vend të realizimit të këtyre shkresave, Lindita Nikolla në prill të vitit 2024 njoftoi anulimin e largimeve nga grupi parlamentar dhe kthimin e të gjithë të përjashtuarve nga Basha.
Tashmë nga debate në sallë çështja ka shkuar në SPAK, ku dhe do të vendoset nëse kemi të bëjmë me shkelje ligjore.
