Dosja “Bërxulla”/ Hetim pasuror për Ymer Markun, hija e tij pas “King Resort”. Arbër Abazi bleu 10 mijë m2 tek çifti Cena, rasti në hetim
Vetëm një ditë pas arrestimit të Ymer Markut, ish-kreut të komunës Bërxullë, prokuroria e Tiranës, ka nisur një hetim pasuror ndaj ish-zyrtarit të Partisë Demokratike, i cili kandidoi në zgjedhjet e kaluara lokale dhe për postin e kryetarit të bashkisë Vorë.
Çelja e hetimit pasuror ka nisur pasi ndaj tij paralel me “Shpërdorimin e detyrës”, ka nisur dhe një hetim për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Prokuroria e Tiranës ka ngritur dyshime të forta se Ymer Marku ka fshehur pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme, duke e kaluar në emra të dytë dhe të tretë, siç janë vëllezërit dhe nipat e tij.
Mes pasurive që prokurorët besojnë se i përket Ymer Markut, është dhe resorti “King” që ndodhet në zonën e Bërxullës.
“Ora Neës” ka mësuar se hetimi pasuror nuk do i shpëtojnë dhe dy ish-kryekomunarët Kujtim Ballliu dhe Agim Loci.
Tjetërsimi i 7500 metrave katror tokë nuk është rasti i parë i abuzimit në këtë zonë.
Hetimi pritet të zgjerohet dhe tek sipërfaqe të tjera toke, të cilat janë tjetërsuar nga zyrtarët e komunës Bërxullë dhe më pas shitur kompanisë “Alko Impeks” që menaxhohet nga Arbër Abazi, nipi i deputetit të PS, Sadri Abazi.
Mësohet se aktualisht në Prokurorinë e Tiranë ka 5 procedime penale për tjetërsimin e pronave në ish-Komunën Bërxullë.
Arbër Abazi, i cili ka marrë dhjetëra milionë euro tendera klientelistë, po bëhet feudali i ri i pronave në Bërxullë, një nga zonat më strategjike për biznes mes Tiranës, Vorës dhe Rinasit.

Vetëm në një rast, Abazi është bërë pronar i 10 mijë m2 toke pranë rrugës kryesore, ish-komuna Bërxullë.
Tokën ia ka blerë një shtetasi nga Kukësi, Tahir dhe Fidarie Cena, i cili nuk dihet se si e ka përfituar pasi nuk është pjesë e banorëve autoktonë, të cilët kërkojnë kthimin e pronave që kanë trashëguar brez pas brezi.
Vlera në kontratën e shitjes është vetëm 43 milionë lekë të vjetra, transaksion që mund tê jetë edhe fiktiv. Mbi tokën që dyshohet se është pjesë e një skeme grabitje dhe korrupsioni, Arbër Abazi po ndërton kapanone për biznes.
Ndërtimet janë kundërshtuar me forcë nga banorët e zonës, të cilët pretendojnë se Arbër Abazi dhe zyrtarë të ish-komunës Bërxullë dhe biznesmenë të tjerë u kanë grabitur tokat.


