Balla ndan VIDEON: Lufta ndaj rrjeteve të furnizimit me armë, detyrë kryesore e Policisë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se lufta ndaj armëmbatjes pa leje është prioritet i Policisë. Në një postim në rrjetet sociale, Balla, duke ndarë pamje nga operacioni policor në Vaun e Dejës, Shkodër, nënvizon se armëmbajtja pa leje mbetet burim i ngjarjeve kriminale.
“Policia e Shtetit vijon të godasë sistematikisht fenomenin e armëmbajtjes pa leje, i cili mbetet burim për ngjarje kriminale. Goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo ndalimi i shtetasve që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore e Policisë”, shkruan Balla.
Policia e Shkodrës njoftoi më herët se u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Sh. S., 36 vjeç, banues në Shkodër. 36-vjeçari është lokalizuar në Fshat të Ri dhe sapo ka parë shërbimet e Policisë ka tentuar të largohet. Ai është kapur dhe ndaluar menjëherë dhe me vete i është gjetur 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të cilën e mbante pa leje.

