Dy viktima në Fushë Kuqe, dëshmitari: Zetori i kishte zënë poshtë, djali hyri në ujë t’i shpëtonte

Një aksident i rëndë ndodhi pasditen e sotme në zonën e Fushë Kuqes, si pasojë e të cilit humbën jetën dy persona, një 60-vjeçar dhe një 21 vjeçar.

Mjeti bujqësor doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal, ku edhe u gjetën trupat e pajetë të dy viktimave.

Një dëshmitar nga vendngjarja tregon se viktimat u gjetën poshtë zetorit, që po drejtohej nga 60-vjeçari, ndërsa 21-vjeçari ishte pasagjer.

Viktimat, sipas banorëve të zonës, janë nga Mirdita.

“Sapo morëm vesh që ka rënë një zetor, dolëm.

Çuni u fut poshtë për të parë nëse ka viktima, në llucë preku këmbën e njërit që ishte poshtë gomave. Zetori ishte përmbys dhe i kishte zënë poshtë.

Ata kishin dalë nga shtëpia dhe po shkonin nga toka. Ai çuni ishte punëtor, ishte nga Mirdita”, tha Maliq Turku, banor i zonës.

Sipas raportimeve të para, dyshohet se drejtuesi i mjetit bujqësor ka humbur kontrollin, ndoshta për shkak të një goditjeje në zemër.

Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 14:05, kur drejtuesi i mjetit bujqësor, 60-vjeçari me iniciale I.I. humbi kontrollin.

Për pasojë, zetori doli dhe rruga dhe ra në kanal. Bashkë me 60-vjeçarin, në mjet ndodhej edhe një pasagjer, 21-vjeçarin me iniciale Gj.M. Dyshohet se viktimat humbën jetën si pasojë e mbytjes.