Masimiliano Alegri, zbulohen fjalët e zjarrta: 3 objektiva dhe iki
Ai i donte me çdo kusht tri pikët kundër Fiorentinës, pasi rëndësia e tyre ishte më shumë sesa jetike.
Më tepër sesa me objektivat sezonalë kishte lidhje me anën psikologjike, sepse një tjetër ndalesë në kampionat mund ta kishte fundosur skuadrën e tij, por fatmirësisht reagimi erdhi.
Erdhi, por jo pa tërbuar Masimiliano Alegrin, i cili në minutat e fundit të duelit, teksa ishte tërhequr për të mbrojtur rezultatin, në dy momente sheh Jildizin që në vend të humbasë kohë kërkon lavdinë personale, duke kërkuar goditjen nga distanca pas një driblimi, edhe pse kishte shumë metra fushë të hapur, ndërsa Alkaraz humb një top elementar, që i jep një mundësi vjollcëve për një kundërsulm të rrezikshëm.
Dhe nëse nuk do të kishte qenë për vijat ndaluese të fushës dhe për frikën e ndonjë pezullimi rekord, Alegri do të kishte zbritur në fushë për t’i dhënë një leksion dy “rebelëve” ndaj urdhrave të tij, ndaj në fund mund të kuptohet edhe shpërthimi në tone shumë të larta, pas ndeshjes me Fiorentinën.
Nëse zhurma e madhe dhe shfryrja ndaj ekipit, por edhe drejtuesve të pranishëm u raportua të hënën, dje e përditshmja “TuttoSport” ka zbardhur edhe tri kërkesat e tij të fundit, për këtë sezon, madje duke kërcënuar se pas tyre është edhe gati të hapë krahun nëse nevojitet.
“Të gjithë mund të bënim më shumë, të gjithë duhet të bëjmë më shumë dhe pikërisht kjo më tërbon.
Por tani të gjithë kokën te derbi, një tjetër ndeshje që duhet ta fitojmë për të mos humbur hapin me Milanin përpara duelit direkt. Sepse unë dua vendin e dytë.
Dua që ta mbyllim aty ku ishim deri në gjysmën e sezonit, por në të njëjtën kohë kështu do të ‘blindojmë’ zonën Champions dhe mos harrojmë se Kupa e Italisë është një detyrim për moralin tonë, për tifozët dhe për këtë klub.
Ta mbyllim sa më mirë dhe nëse doni pastaj jam gati edhe të iki.
Unë këtu erdha të ndihmoj, nëse nuk ia dal, nuk kam frikë të iki”, janë fjalët që i janë raportuar burimit të “TuttoSport”.
Por pas kërcënimit edhe me largim, sërish e përditshmja torineze mëson se menjëherë pas fjalës “iki”, Vlahoviç, Kieza dhe Danilo, tre prej liderëve të skuadrës dhe njerëzve që e duan dhe besojnë tek Alegri, janë ngritur në këmbë për të qëndruar pranë trajnerit të tyre.
Ky veprim si një shenjë mbështetjeje se “Konti Maks” ka të gjithë besimin dhe skuadrën me vete.
Tani të shohim nëse ky shpërthim dhe këto tri objektiva të fundit të paracaktuar do të çojnë Juven në një tjetër reagim të fortë në derbi, përpara përplasje direkte me Milanin.
