Guardiola: Fitojmë ndeshjen e kthimit, Realit i kam zili … Toni Kroos

Real Madrid dhe Manchester City nuk shkuan mbrëmë më shumë se një barazim spektakolar 3-3, duke lënë gjithçka për ndeshjen e kthimit. Pep Guardiola vlerësoi lojën e skuadrës së tij, teksa zbuloi edhe bisedën me futbollistët në fundin e pjesës së parë, kur ishin në disavantazh 2-1.

“Ishte një ndeshje shumë e bukur dhe me intensitet. Jam shumë i kënaqur me atë që bëmë dhe tani do të kërkojmë fitoren në ndeshjen e kthimit.

Në pushim u thashë futbollistëve të luajnë të organizuar dhe të mendojnë që përveç 45 minutave në Madrid, ka edhe 90 të tjera në shtëpinë tonë.  Djemtë e interpretuan ndeshjen në mënyrë perfekte dhe më dhanë të tjera kënaqësi, siç kanë bërë gjithmonë vitet e fundit.

Foden është në formë mjaft të mirë dhe kur sulmon nga qendra, ka disa aftësi të shkëlqyera. Edhe Gvardiol shënoi një gol mjaft të bukur, por e gjithë skuadra bëri ndeshje perfekte. Realit i kam zili Toni Kroosin, që bën kundërshtarin të lëvizë ashtu siç ai do dhe me një lehtësi për t’u admiruar. De Bruyne ishte mes titullarëve, por para ndeshjes më tha që nuk mundej. Ishte duke vjellë dhe nuk ishte mirë”, deklaroi Guardiola.