Inflacioni në rënie, Preçi: Nëse do vazhdohet kështu, do vijojmë të kemi një ekonomi anemike
Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, se me ritmet aktuale të zhvillimit të ekonomisë dhe stimulimit nga politikat e qeverisë do të vijojë të jetë një ekonomi anemike.
Në një intervistë për “Ora News”, Preçi theksoi se inflacioni në Shqipëri ka qenë një inflacion i importuar.
“Është fakt që inflacioni tek ne në këto 3-4 vitet e fundit ka qenë një inflacion i importuar, çka do të thotë që ndryshimet në tregjet botërore mbarten dhe ndikojnë në ekonominë tonë.
Ndërkohë në rastin e vendit tonë, inflacioni ka pasur lidhje me me rënien e ofertës dhe çrregullimet ekonomia vijon t’i vuajë edhe sot me kursin e valutave.
Kjo pasi në Shqipëri ekonomia vijon të shfaqë probleme serioze që janë në vazhdimësi ku problemeve të vjetra i shtohen dhe ato të reja, siç janë mungesa e fuqisë punëtore.
Tregjet kryesore të mallrave në Shqipëri vazhdojnë të vuajnë rregullimin e keq të tyre, ku pothuajse nuk ndodh fare rënia e inflacionit, dhe jam pesimist që frenimet e inflacionit të tregjet botërore të mund të ndikonte në rënien e çmimeve në vendin tonë, sidomos të mallrave të dorës së parë, apo ato të shportës.
Është fakt i njohur që ekonomia në makro vazhdon të vuajë, përtej propagandës qeveritare me turizmin.
Kemi rënie të prodhimit vendas, që do të thotë se ekonomia ka probleme strukturore dhe prognoza mbetet e zymtë dhe nëse kësaj i shtojmë mungesën e fuqisë punëtore dhe politikat e pamenduara të hapjes së tregut të punës, kuptohet që pritshmëritë do vazhdojnë të mbeten këto që janë sot.
Pra, një ekonomi anemike që rritet në mënyrë të ngadaltë dhe që nuk prodhon mirëqenie për qytetarët e vet”, u shpreh ndër të tjera në analizën e tij, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.



