Balluku: 4 aeroporte dhe korridoret rrugore në funksion të zhvillimit të turizmit

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e  cilësoi Konferencën për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë, organizuar së bashku me Organizatën Botërore të Turizmit, si një mundësi domethënëse për promovimin e Shqipërisë dhe shkëmbimin e eksperiencave mes vendeve në fushën e turizmit.

Duke marrë fjalën në këtë Konferencë, Balluku theksoi se, turizmin në Shqipëri është kthyer në një industri të rëndësishme që jep një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit.

Sot Shqipëria, tha ajo, renditet një ndër vendet e para për sa i takon numrit të turistëve.

Duke u ndalur në investimet në infrastrukturë si katalizator të zhvillimit të turizmit, Balluku tha se “në 2018 kur qeveria vendosi në atë kohë të nisë një strategji për zhvillimin, me të vërtetë pati shumë skeptikë, kjo ndodh shpesh në politikë, të cilët thonë se pse duhen aeroportet e reja në një vend, kur edhe i vetmi që ndodhej në Tiranë pothuajse ishte në 50 % të kapaciteteve. Por asgjë nuk është e rastësishme nga planet dhe projektet e mirëplanifikuar që sot përkthehet në rezultate”.

“Sot në Shqipëri nga një aeroport ndërkombëtar që kishim në 2018, ne ndërtuam në veri të vendit, aeroportin e Kukësit dhe për pak muaj do të kemi aeroportin më të madh në Ballkan, Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, i cili është projektuar për fluturime transoqeanike, por  për të akomoduar dhe flukset ndërkombëtare”, u shpreh ministrja.

Balluku theksoi gjithashtu se po punojnë së bashku me ministrinë e Turizmit dhe se kanë nisur procesin për aeroportin e ri që do të ndërtohet në Gjirokastër, duke e mbyllur kurorën me katër aeroporte.

"Pas një studimi me Ministrinë e Turizmit, kemi marrë një vendim të ri për të nisur procesin për një aeroport në jug të vendit duke e mbyllur kurorën e avioacionit civil, në Kukës, në Tiranë, në Vlorë dhe më pas në Gjirokastër, një  nga zonat më interesante për turizmin”, u shpreh Balluku.

Balluku theksoi se investime të rëndësishme po zhvillojnë korridoret rrugore si ura të zhvillimit ekonomik dhe turizmit.