Socialistët bojkotojnë sërish komisionin hetimor të “aferave” në Shëndetësi

Partia Socialiste duket se e ka kthyer në praktikë bojkotimin e hetimeve parlamentare për ato që opozita i cilëson si aferat në Shëndetësi.

Kjo pasi për të tretën herë radhazi anëtarët e mazhorancës kanë vendosur të mos marrin pjesë në mbledhjen e thirrur por këtë të martë të komisionit hetimor të Sterilizimit dhe Check-up-it.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se do t’i drejtohen me një kërkesë kryeparlamentares Lindita Nikolla që të sigurojë mbarëvajtjen e mbledhjes.

Në të kundërt, nëse socialistët mungojnë edhe një herë tjetër, Vokshi tha se do kërkojnë zëvendësimin e tyre siç e parashikon ligji.

"Bardhi si kreu i grupit do i dërgojë një letër kryetares së Kuvendit, duke i kërkuar që të marrë masat se është përgjegjësi e Nikollës që të marrë masat për mbarëvajtjen e punës së këtij komisioni.

Nëse deputetë mungojnë më shumë se tre herë pa arsye të ligjshme duhen larguar nga komisioni dhe zëvendësuar me të tjerë.

Kjo është hera e tretë që 8 deputetë mungojnë pa arsye të paligjshme, ndaj nëse mungojnë edhe njëherë do kërkojmë largimin e nënkryetarit dhe sekretarit dhe të marrin masa për anëtarët e tjerë të komisionit", tha Vokshi.