TRANSPARENCË ME DYER TË MBYLLURA/ “Super-Komisioni” i Ligjeve vë në jetë paktin PS-Opozitë. Amnistia merr bekimin e palëve

Këtë të enjte është konstituuar grupi i punës në Komisionin e Ligjeve, ku do të diskutohen ligjet, të cilët kërkojnë 84 vota në Kuvend. Grupi i punës përbëhet nga anëtarë të mazhorancës dhe opozitës.

Për Partinë Socialiste u ulën në mbledhjen e sotme në këtë grup pune Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri, dhe Toni Gogu.

Ndërsa opozita u përfaqësua nga deputetët Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi dhe Erisa Xhixho.

Por çuditërisht edhe pse para kamerave opozita deklaroi se do të kërkojë transparencë për projektligjet me shumicë të cilësuar dhe ato që kanë të bëjnë me nisma madhore, pranoi që dyert e komisionit të jenë të mbyllura për mediat.

Ishte demokrati i Rithemelimit Oerd Bylykbashi që tentoi të bënte transparencë për diskutimet në mbledhje, teksa u shpreh se do të kërkohet transparencë.

“Prioritet për opozitën dhe punën është trajtimi i reformës zgjedhore. Amnistia Penale nuk ishte çështje që u diskutua. Ajo që ramë dakord është listimi dhe përcaktimi në një mbledhje tjetër të objektit të punës.

Do ndiqen praktikat më të mira. E nevojshme të kemi mundësinë të punohet. Opozita e ka mbështetur gjithmonë amnistinë. Duhet të shohim zgjidhjet konkrete që të arrijë objektivat.

Reforma Zgjedhore ka qenë gjithmonë çështje e vullnetit politik, përveçse detyrim. Do t’i drejtohemi për ekspertizë edhe organizatave ndërkombëtare”, tha Bylykbashi.

DEKLARATA E PLOTE E BYLYLYKBASHIT

Pas tij radhën e kishte deputeti socialist, Damian Gjiknuri  për të bërë transparencën e ngritjes së grupit parlamentar të dialogut.

Para kamerave që prisnin në oborrin e Kryesisë së Kuvendit, Gjiknuri tha se çështja e amnistisë është e tejkaluar dhe tashmë duhet të marrë votat në Kuvend.

“Amnistia është e tejkaluar është në seancë. Nuk e kemi konsideruar pasi është në një fazë më të avancuar. Thelbi është çështje që kërkojnë konsensus në interes të integrimit të vendit në BE.

Formati është dialog. Amnistia duhet të marrë votat e nevojshme, ka një dialog mes grupeve parlamentare. Sa i përket Kodit Zgjedhor, rekomandimet merren parasysh. Vendimi do të merret më tej.

Çdo deputet i Kuvendit është pjesë e grupit sa herë që diskutohen këto çështje. Komisioni për Reformën Zgjedhore mbaroi afatin dhe nuk arriti gjë. Dikush mund ta quajë edhe dështim”, tha Gjiknuri.

DEKLARATA E PLOTE E GJIKNURIT

MEKANIZMI PARLAMENTAR

Grupi i punës është pjesë e dakordësisë së arritur mes mazhorancës dhe grupit parlamentar të PD-së për dhënien fund të bllokimit të Kuvendit dhe ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.

Në mbledhjen e fundit, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të krijohet hapësira dhe kushtet e nevojshme nëpërmjet një mekanizmi të barabartë dialogu mes shumicës dhe pakicës parlamentare, që në mënyrë transparente, trajton me qëllim gjetjen e konsensusit, çështje që kërkojnë diskutim politik konstruktiv e gjithëpërfshirës, ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe legjislacionin e nevojshëm për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.