Rama: Tirana, metropoli më tërheqës i Ballkanit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Tirana do të jetë metropoli më atraktiv i Ballkanit.

Në eventin ku u përurua libri i fotografit Alket Islami, “Tirana nga ajri”, Rama u shpreh se, “ky është një prezantim libri ndryshe nga prezantimet që bëhen zakonisht, ku kam pasur fatkeqësinë të marr pjesë në disa raste, ku vendosen disa tavolina rrumbullake me kikirikë dhe me disa pije të trukuara për rastin dhe ku të gjithë flasin nëpër tavolina, asnjëri s’dëgjon çfarë ka për të thënë autori. Prandaj kam hequr dorë nga vajtja nëpër prezantime”.

“Ndërkohë kur Alketi erdhi më tha dua të bëjmë prezantimin e librit, kushti i parë ishte, jo tavolina rrumbullake, jo njerëz në këmbë, jo kikirikë dhe patjetër një mundësi që njerëzit të vijnë të marrin një shije dhe të largohen të pa bezdisur”, tha rama.

Rama u bëri thirrje të pranishmëve që të blejnë librin, pasi, theksoi kryeministri, “është një kontribut për këtë dëshmitar fluturues të Tiranës, por edhe të Shqipërisë më gjerë, edhe për gjithë zogjtë që ka mbledhur rreth vetes dhe që pjesën e ditës që ne e kalojmë në tokë dhe rëndom ulur, e kalojnë në ajër mbi kokat tona dhe na japin mundësinë që të kemi këtë lloj trashëgimie që e parë në albumet e Alketit merr një rëndësi të veçantë”.

“Fatkeqësisht një aksident, për të cilin nuk jam i autorizuar të jap detaje, ka djegur një pjesë të këtij arkivi që i përkiste Tiranës të viteve 90 dhe për këtë arsye ne nuk kishim mundësi t’i përfshinim në libër, sepse do të ishte shumë e dëshiruar që kontrasti dhe ajo që ne kemi pasur fatin e mirë dhe të keq të shohim në 2 epoka të ishte prezentë në mënyrë ulëritëse, gjë që modestisht, me pak detaje, u përpoqëm ta bëjmë me fotografitë e kahershme që erdhën në dorën e gjysmës time më të mirë, si rezultat i magnetizmit që ka dora e saj për të mbledhur artefakte të lidhura me historinë dhe me trupin e Tiranës”, tha Rama.

Rama nënvizoi se, “kjo është historia e një qyteti që nuk i ka thënë absolutisht të gjitha, madje unë besoj se në 5-6 vitet e ardhshme këto që shohim do të jenë një pjesë, jo shumica e atyre që do të shohim, sepse ka shumë akoma projekte dhe ka shumë akoma dëshirë dhe ambicie dhe ka një lloj gare që është futur edhe në shpirtin e sipërmarrjes që të bëjmë ndërtesa, jo thjesht të mira, por edhe të bukura, duke i dhënë Tiranës mundësinë që të bëhet një destinacion edhe për këtë arsye, gjë e paimagjinueshme kur Alketi më vinte mua nga mbrapa me këtë parashutën”.

Rama tha se Tirana është shndërruar në një “destinacion arkitektonik, një vend në mes të Ballkanit, që do të disponojë një koleksion veprash të arkitekturës të mbledhura së bashku nga arkitektë nga më të mirët, jo thjesht më të famshmit, se ka dhe të famshëm që s’janë të mirë, të kësaj kohe dhe që do të krijojë një trashëgimi të denjë për gjeneratat e tjera”.