Vazhdon kaosi jashtë fushe për Milanin, “Blue Skye” me 11 padi për “Elliott”, amerikanët gati për gjyq

Një temë e nxehtë në javët e fundit është bastisja e “Casa Milan” nga Policia Financiare dhe përfshirja e Xhorxho Furlanit dhe Ivan Gazidisit në regjistrin e të dyshuarve, si pjesë e një hetimi nga Prokuroria e Milanos për shitjen e klubit në gusht 2022 për 1.2 miliardë euro.

Një shitje që i hapi rrugë një padie midis fondit të familjes Singer dhe “Blue Skye”, partnerit të “Elliott” me 4.27% të “Project RedBlack”, kompania që kontrollonte 100% të “Rossoneri Sport Investment”, nga ana e saj kompania mëmë e klubit kuqezi.

Që nga ajo kohë, “Blue Skye” pati nisur betejat ligjore, të përkufizuara nga “Elliott” si procese gjyqësore joserioze dhe shqetësuese, për një total prej 11 padish të nisura midis Italisë, Luksemburgut dhe Nju Jorkut.

Dhe është pikërisht një nga këto padi, shkruan “Calcio&Finanza”, shërbeu si shkak për të hapur hetimin nga Prokuroria e Milanos, për atë që deri më tani shihet si shitje të maskuar.

Fondi “Elliott” nuk qëndroi duarkryq, duke iu përgjigjur në shtator të vitit 2023 me ngritjen e një padie në fushën e të drejtës penale private, në Luksemburg.

Me këtë padi, fondi amerikan akuzoi “Blue Skye” për krime duke përfshirë shantazhin, zhvatje dhe keqinterpretim.