Nga ish-portieri i Barçës, te Sanchez. Ja si do të rreshtohen rivalët e Shqipërisë me “Tigrin” në stol
Ndeshja mes Kilit dhe Shqipërisë do të jetë e rëndësishme edhe për përfaqësuesen latino-amerikane.
Në pankinën e saj debuton Rikardo Gareka dhe ky i fundit duhet të ringjallë një skuadër që ka humbur shkëlqimin që kishte në dekadën e kaluar.
Trajneri i njohur me nofkën “Tigri”, ka bërë shumë ndryshime në ekip, por edhe rikthime të rëndësishme, duke filluar nga ish-portieri i Barcelonës, Klaudi Bravo, i cili do të luajë përsëri nga minuat e parë në radhët e përfaqësueses.
Mediat kiliane bëjnë të ditur se në këtë ndeshje përfaqësuesja e tyre do të luajë me rreshtimin 4-2-1-3, ku para Bravos do të vendosen Mauricio Isla, Paulo Diaz, Igor Liçnovski dhe Gabriel Suazo.
Rodrigo Eçeverria do të jetë në fushë përkrah Marcelino Nunjez, ndërsa para tyre do të jetë Aleksis Sançez, i lirë të veprojë gjithë kohën në ndihmë të sulmit.
Treshja e avancuar pritet të jetë me Darío Osorio, Viktor Davila dhe Eduardo Vargas.
