Samiti në Bruksel, Sholc: Fitimet në asetet ruse duhet të përdoren për të blerë armë për Ukrainën
Kancelari gjerman Olaf Sholc (Scholz) ka deklaruar se fitimet në asetet ruse duhet të përdoren për të blerë armë për Ukrainën.
Në samitin e krerëve dhe qeverive të BE-së që po mbahet këtë të enjte (21 mars) në Bruksel, Sholc u shpreh se fitimet nga asetet e ngrira ruse duhet të përdoren për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës.
"Këto para së gjithash duhet të përdoren për të blerë ato armë dhe municione që Ukraina ka nevojë për të mbrojtur veten," tha Sholc, duke shtuar se ishte optimist për shanset që liderët të bien dakord për këtë çështje.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u shpreh se në një botë kaotike në të cilën po jeton njerëzimi, mbetet e rëndësishme, përmbajtja ndaj parimeve.
"Ne jetojmë në një botë kaotike, me superfuqitë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Kemi një situatë mosndëshkimi, ku çdo vend apo grup i armatosur mendon se mund të bëjë çfarë të dojë, sepse nuk ka përgjegjësi.
Kur jetojmë në një botë kaotike, është shumë e rëndësishme t'u përmbahemi parimeve: dhe parimet janë të qarta: Karta e Kombeve të Bashkuara, ligji ndërkombëtar, integriteti territorial i vendeve, e drejta ndërkombëtare humanitare", tha ai.
