"Bregdeti i Gazës, shumë i vlefshëm", Kushner përballet me kritika: Po mbron spastrimin etnik të palestinezëve
Jared Kushner dhëndri i ish-presidentit amerikan ka marrë një valë kritikash, pas deklaratave të tij të fundit për Gazën në një komunikim në universitetin e Harvardit. Ai ka tronditur audiencën kur teksa po fliste për luftën Izrael- Hamas që po zhvillohet në Lindjen e Mesme, tha se bregdeti i Gazës mund të jetë i vlefshëm për investime. Ai tha se Izraeli duhet të “pastronte” fillimisht çdo palestinez dhe të mbaronte punën e ofensivës ushtarake në Gazë.
“Është pak si një situatë fatkeqe atje, por nga këndvështrimi i Izraelit unë do të bëja çmos për t’i larguar njerëzit dhe pastaj për ta pastruar atë,” tha ai.
Kur u pyet për shqetësimet se banorët e Gazës nuk do të mund të ktheheshin nëse largoheshin, Kushner tha: “Nuk jam i sigurt se ka mbetur shumë nga Gaza në këtë pikë”.
Kushner, i martuar me Ivanka Trump, shërbeu si këshilltar i lartë i politikës së jashtme të tij gjatë mandatit të Trumpsi President i SHBA-së 2016-2020. Vetëm javë më parë ai mori një çmim për ndihmën e dhënë në përparimin e kauzës së paqes në Lindjen e Mesme.
Por komentet e tij të fundit kanë shkaktuar kritika të ashpra nga njerëzit që e akuzojnë atë për mbrojtjen e “spastrimit etnik”.
Kushner i tha një profesori të Harvardit: “Prona ujore e Gazës, mund të jetë shumë e vlefshme, nëse njerëzit do të fokusoheshin në ndërtimin e mjeteve të jetesës. Nëse paratë që janë shpenzuar në rrjete tunelesh dhe në municione, imagjino çfarë mund të ishte bërë, nëse ato do të kishin shkuar në arsim apo inovacion.”
Ish-punëtori i Senatit Amerikan, Dylan Williams, shkroi në X pas komenteve: “Vetëm ditë pasi ADL-ja JGreenblattADL i dha atij një çmim për rekordin e tij të punës së politikës, dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, mbron hapur spastrimin etnik të Gazës.”
Komentatorja demokrate amerikane Lindy Li gjithashtu shkroi: “…Jared Kushner po shikon Gazën për zhvillimin e tij të ardhshëm të apartamenteve luksoze.” Ajo tha gjithashtu se Kushner kishte bërë miliarda nga marrëdhëniet e tij me Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët të dy janë të përfshirë në ndërmjetësimin midis Hamasit dhe Izraelit.
Kushner, gjithashtu ish-tregtar pronash, tha se një shtet palestinez është një “ide super e keqe”.
Që nga masakra e Hamasit më 7 tetor, forcat izraelite kanë goditur Rripin e Gazës në një përpjekje për të shkatërruar grupin terrorist të Hamasit dhe bastionet e tij. Në këtë proces, mbi 30,000 palestinezë janë vrarë sipas ministrisë së shëndetësisë së Hamasit të enklavës. OKB-ja ka thënë se më shumë se tre të katërtat e popullsisë së saj janë zhvendosur dhe mbi një milion janë grumbulluar në Rafah, pranë kufirit.
