PAQE DHE BUKË PËR GAZAN! Blinken në vendet arabe në kërkim të armëpushimit: Të mbrohen e ndihmohen civilët
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ndodhet në Egjipt këtë të enjte për bisedime të përqendruara në përpjekjet për të siguruar një armëpushim në luftën Izrael-Hamas, lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza dhe dërgimin e më shumë ndihmave humanitare atje për të ndihmuar civilët palestinezë.
Programi i vizitës përfshin takime të veçanta me zyrtarë egjiptianë dhe me përfaqësues nga Jordania, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sekretari Blinken e filloi vizitën e tij në rajon në Arabinë Saudite, ku u takua të mërkurën me Princin e Kurorës Mohamed bin Salman dhe ministrin e Jashtëm Princin Faisal bin Farhan. Në takime u diskutua “nevoja urgjente për të mbrojtur të gjithë civilët në Gaza dhe për të shtuar menjëherë ndihmat humanitare për ata që kanë nevojë.
Shumë vende janë përfshirë në bisedime prej javësh në përpjekje që të dalin me një propozim të pranueshëm si për Izraelin, ashtu edhe për grupin militant Hamas.
Blinken do t’i informojë udhëheqësit izraelitë për zhvillimet më të fundit, në vizitën e planifikuar për të premten në Izrael.
Sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit, sekretari do të diskutojë në Izrael nevojën për të siguruar mposhtjen e Hamasit, duke përfshirë pjesëtarët e grupit në Rafah, në një mënyrë që mbron popullsinë civile, nuk pengon shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe avancon sigurinë e përgjithshme të Izraelit.
Shtetet e Bashkuara kanë forcuar kundërshtimet ndaj planit të qeverisë Netanjahu përgjatë kufirit ndërmjet Gazës dhe Egjiptit, për të cilin Izraeli thotë se është i nevojshëm për të përmbushur synimin e tij për mposhtjen e Hamasit dhe për të siguruar që grupi të mos kryejë një sulm tjetër si ai i 7 tetorit në Izrael.
Më shumë se një milion palestinezë janë strehuar në Rafah, shumë prej tyre pasi u larguan nga pjesë të tjera të Gazës në përpjekje për të gjetur strehë nga lufta.


