“Daily Express”: Riviera Shqiptare dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë

Shqipëria turistike zuri edhe faqen e parë të tabloidit “Daily Express” që i ka kushtuar në reportazh  ku i bën jehonë investimeve dhe destinacioneve në Rivierën shqiptare. Në fokus është Vlora.

“Vitet e fundit, Riviera Shqiptare ka përjetuar një rritje të turistëve, të cilët kanë zbuluar se ujërat e saj të kristaltë, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë”, shkruan tabloidi britanik “Daily Express”, duke e cilësuar vendin si sekretin më të ruajtur të Gadishullit Ballkanik, në krahasim me vende më të njohura si Kroacia.

Vlora, është bërë veçanërisht e popullarizuar në mesin e turistëve falë vijës bregdetare shkëmbore, ushqimit të jashtëzakonshëm dhe historisë së pasur, shtohet në artikull, teksa kjo lidhet me ndërtimin e aeroportit të ri, që renditet I treti në vendin tonë.

“Krijimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të lehtësojë afrimin e vizitorëve, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga qendra ajrore në bregdet”, kanë vlerësuar në shkrim gazetarët britanik.

Ata janë shprehur se investimi 88 milionë funte I jep frymë zhvillimit të një prej qyteteve më mahnistëse të Ballkanit.

Edhe dy ditë më parë, prestigjiozja britanike “The Guardian” e renditi sportin e kalërimit në Shqipëri ndër 10 aktivitetet evropiane që nxisin shpirtin e aventurës.

Artikulli e përshkruante si përvojë unike udhëtimin e shtigjeve të lashta malore në Shqipëri, ku kalorësit eksplorojnë kodrat, luginat dhe pyjet, fshatrat mesjetare, kështjellat e rrënuara dhe manastiret bizantine.