Rishikimi i skemës së pensioneve, eksperti: Asgjë nuk ndryshon! Skema aktuale thelloi gropën për pensionet, e reja favorizon zyrtarët e lartë
Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore ka nisur punën për rishikimin e skemës së pensioneve.
Për të kuptuar më shumë nga diskutimet që po zhvillohen për formulën e re të pensioneve, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte eksperti i Ekonomisë Kujtim Hoxha.
“Skema aktuale është ndryshuar në vitin 2015 nga qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, u krijuar që të mbushte gropën mes të ardhurave dhe shpenzimeve.
Dhe në këto vite ajo duhet të kishte dhënë rezultate, por kjo skemë jo vetëm që nuk e ka mbushur këtë gropë, por përkundrazi është thelluar dhe nuk ka dhënë asnjë lehtësim për qytetarët.
Me skemën e mëparshme një qytetari i duheshin 35 vite punë për të përfituar pension të plotë, por sot me skemën e re, duke shtuar me 4 muaj për ccdo vit vjetërsinë e punës i duhen 38.4 vite punë që të përfitojnë pension të plotë.
Po ashtu kjo skemë nuk arritur të realizonte edhe parashikimin që kush derdh më shumë sigurime shoqërore merr më shumë pension.
Pra kjo skemë dështoi, sepse ka 74 lloje përfitime pensionesh dhe me këtë skemë shumica nuk përfitojnë pensione të plota.
Nga 110 mijë pensione të pjesshme sot rezulton se kemi 280 mijë pensione të tilla dhe kjo është e frikshme, sepse nuk janë thjesht shifra, pasi prapa këtyre numrave janë interesat e një familjeje. Dhe kjo do të thotë që një e treta merr pensione të pjesshme. Por ajo që ka përkeqësuar skemën e sigurimeve shoqërore është dhe ndërhyrja e qeverisë në këtë skemë.
Kjo skemë që po ndryshon kemi 5 deri në 7 për qind për zyrtarët e lartë është favorizuese sepse nuk ka kufizime sa i përket tavanit të lartë, të cilëve kemi një pension që u shkon në afro 60 mijë lekë të reja.
Pra dhe kjo skemë dëshmon se pjesën më të madhe e merr kjo elita që është në dëm të pensionistëve të tjerë. Pra edhe kjo skemë e lë gropën po kaq të thelluar që është tani”, theksoi ndër të tjera eksperti Kujtim Hoxha.
Ndërhyrja në pensione
Pavarësisht ndërhyrjeve të bëra në vitin 2015, ende nuk ka arritur në nivelin që të ardhurat nga kontributet, të barazohet me shpenzimet, duke bërë që çdo vit të kërkojë shuma të konsiderueshme subvencioni nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, rritja e pagës minimale në shkallë vendi në 40 mijë lekë në muaj, çka rriti edhe kontributet që derdhin të punësuarit si dhe rritja së pagës maksimale për efekt kontributesh apo pagave në tërësi në sektorin publik, sërish nuk eliminuan vështirësitë financiare.
Nga ana tjetër rritja e trendit emigrues të fuqisë punëtore, është kthyer në shqetësim serioz për këtë skemë.




