Dy teste për Evropianin, gazetari “skanon” Kombëtaren: Fryma e grupit, super! Broja, kapriçoz! Vendimtare përzgjedhja e Sylvinhos
Për herë të parë që prej nisjes së grumbullimit ditën e dielë, trajneri i kombëtares Sylvinho do ketë sot në dispozicion të 26 futbollistët e thirrur për dy ndeshjet miqësore të kombëtares me Kilin dhe Suedinë.
I fundit që do bashkohet me kuqezinjtë në “Shtëpinë e Futbollit” është mbrojtësi Naser Aliji, ndërsa stërvitjen e parë nën urdhrat e Sylvinhos e ka kryer Arbër Hoxha, risia e këtyre dy ndeshjeve, i cili vjen nga Dinamo Zagreb.
Gazetari sportiv Drilon Xhepollari i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” bëri një analizë të imtësishme të situatës brenda kampit kuqezi.
“Këto dy miqësore do jenë si një testim i të gjithë lojtarëve që tekniku Sylvinho ka në dispozicion. Fryma e grupit këto ditë kaq qenë shumë e mirë, ndërsa vlen të theksohet se Broja është shfaqur tekanjoz në të kaluarën dhe shpresoj të mos ndikojë në këto takime.
Ajo që ka rëndësi është faktit se kush do të jetë përzgjedhja e 11-shes së parë nga trajneri Sylvinho, e cila do të na ndihmojë më pas për të parë se kush do të jetë dhe bërthama e ekipit që do na përfaqësojë në EVRO 2024 në Gjermani”, theksoi gazetari Drilon Xhepollari.
Ndeshjet
Kombëtarja fillimisht më 22 mars në Itali do luajë miqësoren e parë kundër Kilit, ndërsa më 25 mars kundër Suedisë në Stokholm. Këtë herë Sylvinho ka thirrur 26 futbollistë nga të cilët 23 do përfshihen në listën zyrtare.
I fryrë është sulmi ku në ndryshim nga grumbullimet e tjera përveç Arbër Hoxhës janë thirrur Rey Manaj, i cili po shkëlqen në Turqi, por edhe Armando Broja, i cili këtë sezon po vuan në Premier League.

