Detaje të reja nga vrasja e Gentjan Bejtjas, “Land Rover”-i i djegur u vodh në gusht 2023 në ...
Kanë dalë detaje të reja nga vrasja e Gentjan Bejtjas, ngjarje e ndohur ditën e djeshme.
Dyshohet se kanë qenë 4 persona të cilët u afruan me një automjet tip “Land Rover” nga zona e Fushë-Krujës në drejtim të Larushkës.
Ndërkaq rezulton se makina "Land Rover" dhe targat janë vjedhur në Shkodër në gusht të vitit të kaluar.

Ata arritën në rrugicën pranë vilës së Bejtjas rreth orës 16:20. Autorët e parkuan makinën pranë portës kryesore të vilës dhe më pas dyshohet se tre prej tyre zbritën, të maskuar dhe me veshje të zeza, duke mbajtur 3 kallashnikovë. Njëri nga autorët mbeti në makinë për t’u larguar më pas.
Porta e madhe e vilës ishte hapur, duke u lehtësuar kështu hyrjen e autorëve në oborr. Gentjan Bejtja ishte disa metra larg oborrit.
Autorët e qëlluan atë me breshëri automatike, duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas u larguan.

Në vendin e ngjarjes, policia gjeti rreth 50 gëzhoja kallashnikovi, të cilat sipas të dhënave paraprake ishin rezultat i përdorimit të tre kallashnikovëve nga autorët.
Pas atentatit, autorët hipën në makinën e tyre dhe u larguan në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Kamzën.

