Rikthimi i Manajt dhe Brojës, dy janë të sakrifikuarit për miqësoret e marsit nga Sylvinho

Sulmi është reparti që i ka shtuar më së shumti telashet trajnerit Sylvinho në prag të Europianit të Gjermanisë, pasi thuajse të gjithë futbollistët në repartin e avancuar po bëjnë mjaft mirë në klubet e tyre.

Forma e shkëlqyer e Rey Manajt dhe Arbër Hoxhës kanë tërhequr vëmendjen e strategut brazilian, por edhe është joshur nga mundësia për të pasur në skuadër një sulmues si Armando Broja.

Të tre këta kanë marrë ftesën nga trajneri për dy miqësoret e muajit mars dhe do të kenë mundësinë të tregojnë se dinë të bëhen pjesë e grupit dhe të vihen në dispozicion për të dhënë kontributin e tyre.

Këtë herë Sylvinho ka lënë jashtë Arbnor Mujën dhe Mirlind Dakun, që kanë dhënë jo pak kontribut në eliminatore.

Natyrisht nuk bëhet fjalë për një përjashtim të tyre, por duke qenë se kampionati në Rusi sapo ka nisur dhe Muja sapo është transferuar në skuadrën e re në Turqi, trajneri u ka lënë kohë të gjejnë formën e tyre më të mirë.

Sylvinho i ka pasur disa herë në grumbullim dhe i ka aktivizuar në eliminatore, ndaj ua njeh mirë aftësitë dhe e vetmja gjë që prej tyre, është të rigjejnë formën më të mirë sportive.