Vranë me thikë 19-vjeçarin, jepet sot masa e sigurisë për dy të rinjtë. ‘Blindohet’ Gjykata e Fierit

Nën masa të forta sigurie, kanë mbërritur në gjykatën e Fierit dy autorët e dyshuar të vrasjes së 19- vjeçarit Grei Bihuci dhe plagosjes së shokut të tij 20-vjeçar Olti Serjanaj.

Florjan Muka dhe Klajdi Muka do të njihen sot me masën e sigurisë teksa mbi ta rëndon akuza e vrasjes në bashkëpunim dhe e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.

18-vjeçari Florjan Muka, ra në prangat e policisë pasi goditi për vdekje me thikë në qendër të qytetit Grei Bihucin, i cili nuk mundi t'u mbijetojë plagëve të marra dhe plagosi 20-vjeçarin Olti Serjanaj, i cili ndërhyri për të shuar sherrin.

Klajdi Muka u arrestua vetëm një ditë më pas, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore. Konflikti i nisur në rrjetet sociale përfundoi në përleshje fizike duke shkaktuar një viktimë.

Ngjarja e rëndë ka shokuar gjithë opinionin publik e veçanërisht komunitetin fierak te cilët e kanë nderuar 19-vjeçarin me homazhe në vendin e ngjarjes.

Trupi gjykues i përbërë nga Prokuror Petrit Vuka dhe gjyqtar Noel Veizi do të dëgjojnë dëshmitë e dy të rinjve për të vendosur masën e sigurisë.

Sipas dosjes hetimore mësohet se sherri ka nisur në dhjetor të vitit të kaluar për një thikë dhe në të janë përfshirë disa persona.

Konflikti ka zgjatur deri në ditën e ngjarjes ku të rinjtë janë takuar për t'u pajtuar, por pikërisht në këtë moment në sherr janë përfshirë më shumë persona.

Personat e përfshirë në sherr ditën e ngjarjes kanë qenë dy personat e arrestuar Florjan e Klodjan Muka, Grei Bihuci, Olti Serjanaj, Nebi Alimadhi dhe dy persona të paidentifikuar, palë me Nebiun dhe Grei Bihucin.