Roma me probleme para ndeshjes me Brightonin, mungon sulmuesi kryesor
Romelu Lukaku humb ndeshjen e kthimit të Europa League-s kundër Brightonit.
Vetë trajneri Daniele De Rossi ka njoftuar mungesën e belgut në konferencën për shtypin para ndeshjes.
“Lukaku ka probleme në ijët, që e shqetësojnë prej muajsh, ndoshta vitesh, dhe që, herë pas here, kthehen.
Kur i ndodh, duhet të bëjë pak pushim. Mos më pyesni për kohën e rikuperimit sepse nuk e di, nuk i njoh këto dëmtime. Nuk mund të ishte me ne për këtë ndeshje”.
Këtë herë belgu përfitoi nga fitorja 4-0 e ndeshjes së parë për t’u ndalur dhe për t’u rikuperuar, duke u përpjekur kështu të jetë për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Sassuolos, por edhe ajo është në dyshim.
Gjendja e Lukakut për ndeshjet e radhës në kampionat do të vlerësohen në ditët në vijim, për të kuptuar nëse ai do të jetë menjëherë në dispozicion të De Rossit.
