Konferenca e Kryetarëve, Bardhi informon deputetët se çfarë u ra dakord me mazhorancën. Njofton edhe mbledhjen e Grupit
Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhit ka informuar deputetët në lidhje me çfarë është rënë dakord me mazhorancën, për rikthimin e jetës normale parlamentare.
Bardhi bën me dije se në parim u ra dakord që të ushtrohet e drejta e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e 2 Komisioneve Hetimore që u rrëzuan në 12 Tetor, duke u tërhequr nga vendimet në atë seancë;
Njoftimi:
Te nderuar kolegë,
Nesër në orën 11:30, do te zhvillojmë mbledhjen e grupit parlamentar.
Në parim në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord:
Të ushtrohet e drejta e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e 2 Komisioneve Hetimore që u rrëzuan në 12 Tetor, duke u tërhequr nga vendimet në atë seancë.
Të ngrihet me vendim të Kuvendit një Nënkomision për Reformat, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 GPPS – 2 GPPD).
Ky nënkomision është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian. Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare;
Konferenca e Kryetarëve, me propozimin e përfaqësuesve të opozitës, miraton një kalendar konkret për shqyrtimin, diskutimin dhe votimin e ligjeve të propozuara nga deputetët.
Kryetarja e Kuvendit kujdeset që Komisionet Parlamentare të zbatojnë kalendarin konkret të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve.
Do të punohet për projektvendimet gjatë ditës dhe më pas do të ketë nesër në 13:30 një tjetër mbledhje të Konferencës së Kryetarëve.
