Agalliu: PD, e gatshme të votojë projektligjin e Amnistisë Penale në versionin fillestar

Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Arbi Agalliu me anë të një deklarate për mediet bëri të ditur qëndrimin e kësaj partie në lidhje me Amnistinë Penale.

“Partia Demokratike është e gatshme në çfarëdo lloj kohe të votojë projektligjin për amnistinë penale në variantin e parë të sjell nga qeveria dhe Ministria e Drejtësisë në komisionin e ligjeve në Kuvend. Një variant i cili nuk përfshin të gjithë ata indivit që janë nën gjykim nga SPAK, apo janë dënuar nga GJKKO”, u shpreh Agalliu.

Po kështu, sipas tij,  projektligjit duhet t’i bashkëngjitet edhe amendamenti i Partisë Demokratike për të amnistuar të gjithë protestuesit.

“Qofshin këta protestuses të thirrur nga PD apo partitë aleate, apo parti të tjera politike, apo nga shoqëria civile”, tha ai.

“Kjo bëhet për arsyen e parë dhe bazike për mbështetjen e drejtësisë dhe së dyti për të amnistuar të gjithë atë kategori protestuesish të cilët kanë protestuar për një kauzë të caktuar”, theksoi Agalliu, duke rivënë në dukje edhe njëherë se qëndrimi i Partisë Demokratike është për të votuar Amnistinë Penale në çfardolloj kohe dhe momenti duke i qëndruar këtyre parimeve.