Negociatat për "paqe", Alibeaj: PS të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj u shpreh sot se, “PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore”.
“Dy sqarime që publiku ka nevojë t’i dijë lidhur me negociata sekrete apo marrëveshje okulte të përfolura në media: PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore”, u shpreh Alibeaj në një reagim në rrjetet sociale.
“Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimmarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanshëm duke peshkuar vota opozitare”, theksoi Alibeaj.
“Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha”, shtoi Alibeaj.
“Në emër të PD nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i Edi Ramës”, nënvizoi më tej Alibeaj.

