Manja: Të gatshëm të tërhiqemi nga amendamenti për amnistinë penale

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi sot me rastin e 8 Marsit, një vizitë në IEVP “Ali Demi”.

Pas takimit me gratë që vuajnë dënimin, Manja deklaruar për mediet se gratë dhe vajzat e dënuara meritojnë një trajtim sa më dinjitoz, pavarësisht se janë dënuar nga drejtësia.

“Do të bëjmë çmos për të garantuar standarde më të mira jetese dhe trajtimi në këtë institucion. Ky institucion nuk ofron kushtet më të mira. Ata janë dënuar nga drejtësia për gabimet që kanë bërë, por janë pjesë e jona dhe meritojnë një trajtim sa më dinjitoz dhe rikthim pranë familjes.

I qartësova dhe për ligjin e amnistisë. Një pjesë e grave përfitojnë plotësisht nga amnistia. ato që përfitojnë më shumë përfitojnë nga ulja e dënimit”, tha Manja, teksa u shpreh se në muajin mars përfundon dhe burgu i Pogradecit, aty ku do të transferohen edhe gratë.

“E gjithë zona këtu është e banuar me pallate. Ky institucion ofron strandarde e kushte për trajtimin e grave, por për trajtimin e posaçëm ky vend do duhet të shohë mundësinë e lëvizjes. Është diskutuar zhvendosja në Pogradec. Ai institucion është drejt përfundimit të mobilimit. Brenda marsit përfundon me çelësa në dorë mobilimi i brendshëm. Plotëson të gjitha standardet e trajtimit të grave të dënuara. Do jetë pasi të bëhet amnistia. Pas transferimit të grave, ky institucion do jetë ynë dhe do shërbejë për të njëjtin qëllim”, tha Manja.

Lidhur me Amnistinë Penale, Manja u shpreh se një pjesë e madhe e grave të dënuara do përfitojë ulje dënimi, ndërsa një pjesë tjetër përfitojnë plotësisht.

“U bëj thirrje të gjithë kolegëve të mi në Kuvendin e Shqipërisë, pa përjashtim. Dhe një nga arsyet se unë pres ditën kur ta fusim në rendin e ditës, ka të bëjë me votën që duhet të marrë ky projektligj, jo thjesht 84 vota. Unë kam thënë dhe kam kërkuar se ky ligj amnistie, që ka 4 vjet që nuk është bërë të marrë votën e të gjithë deputetëve. E kam thënë që ditën e parë, nëse problemi është ai amendament, ne kemi deklaruar se jemi të gatshëm të tërhiqemi, sepse nuk ka qenë në versionin fillestar të amnistisë”, tha Manja.

Por, shtoi ministri, “nëse do të pyesni një zonjë brenda burgut, 55 vjeç, e cila është dënuar nga GJKKO dhe kur i thashë që ka një qëndrim për këtë, mendojeni dhe pozitën e asaj që priste të përfitonte 1 vit e gjysmë viti ulje dënimi, por fatkeqësisht dakordësia dhe kompromisi për ta kaluar atë amnisti, është heqja dorë nga ai amendament”.

“Ne jemi të gatshëm të tërhiqemi nga amendamenti që t’i hapim mundësinë të përfitojë pjesën tjetër”, tha Manja.