“Plumbi i Artë”/ Gjyqtarja dhe avokati i të akuzuarit në lidhje familjare, i pandehuri merr mbrojtës tjetër
Seanca e dytë në themel e dosjes “Plumbi i Artë” po kthehet në një proces nga më të çuditshëm në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ezaurimi i gjyqtarëve ka sjell një trupë nga gjykatat me Juridiksion të Përgjithshëm të rretheve. Këtë të enjte gjyqtarja e Durrësit Entela Shedula konstatoi papajtueshmëri në lidhjen familjare që ajo vetë kishte me një nga avokatët e të pandehurve.
Ajo iu drejtua avokatit të Gentian Sharrës me kërkesë që të hiqte dorë nga mbrojtja, pasi të dy pranuan njohjen dhe rrethanat familjare mes tyre
Por avokati Sokol Harizaj e konsideroi të papranueshme një kërkesë të tillë pasi është pajtuar prej kohësh për të mbrojtur interesat ligjore të Sharrës dhe nëse duhej të tërhiqej dikush, ligjërisht duhet të tërhiqet gjyqtarja.
Togat e zeza u tërhoqën për të marrë një vendim lidhur me këtë ngërç, duke u rikthyer me vendimin e pazakontë të përjashtimin e avokatit duke i kërkuar të pandehurit të kërkojë një mbrojtës tjetër. Seanca e radhës u la më 29 mars në orën 11:00.
