VIDEO-MESAZHI/ 7 Marsi, Xhixho: Mësuesit shqiptarë janë sot më të keqpaguarit në rajon!

7 Marsi, e njohur ndryshe si “Dita e Mësuesve” do të kremtohet këtë të enjte nga të gjithë shqiptarët, nxënësit në mbarë vendin, në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit si edukator i brezit të ri.

Një festë e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe si e tillë është përkujtuar edhe nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.

“Sot mijëra mësues në të gjithë vendin festojnë ditën e tyre.

Mirënjohje për shumë prej tyre që punojnë në shkolla me dy turne, mirënjohje për shumë të tjerë që udhëtojnë me orë të tëra për në zonat e thella, falenderime pa fund për ata që megjithëse i shohin klasat e nxënësve të tkurren përditë për shkak të emigrimit, nuk e kanë humbur pasionin e mësimdhënies.

Fatkeqësisht, kontributi i tyre i jashtëzakonshëm për një Shqipëri më të mirë nuk ka mbështetjen e qeverisë.

Mësuesit shqiptarë janë sot më të keqpaguarit në rajon! Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin sepse prioriteti i Rilindjes janë inceneratorët, koncensionet, PPP-të, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë.

Nuk mund të ketë arsim cilësor pa buxhetim! Rritja e pagave të mësuesve dhe nxitja e arsimit cilësor përmes politikave të mirëfillta arsimore janë objektivi ynë më i madh.

Vetëm duke e bërë arsimin prioritet kombëtar, mund të ecim drejt zhvillimit të qëndrueshëm, mund të frenojmë shpopullimin dhe të ecim të sigurt drejt të ardhmes evropiane.

Gëzuar 7 marsin të gjithë mësueset dhe mësuesit!”, shprehet në mesazhin e saj përmes rrjeteve sociale nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho.

Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887 në kushtet e pushtimit otoman, dhe ajo u krijua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.