Gjyqtarët portugezë “kundër” Di Marias, argjentinasi rrezikon prej postimeve në rrjetet sociale

Shoqata e Gjyqtarëve Portugez (APAF) nisi këtë të shtunë procedurat disiplinore kundër Angel di Maria pas kritikave të argjentinasit ndaj ekipit të arbitrave të drejtuar nga Fabio Verissimo pas humbjes 2-1 të Benficas kundër Sportingut në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Portugalisë.

Sipas raportimeve të medieve portugeze, hetimi ka nisur pas postimit të ish-lojtarit të PSG-së në rrjetet sociale, ku akuzonte arbitrat për vendimet e tyre.

“Çfarë mund të themi për ditën e djeshme? Ajo që ndodhi ishte e dukshme për të gjithë.

Ne do të vazhdojmë të punojmë për të arritur objektivat tanë. Vetëm kundër të gjithëve”,- ka shkruar ai.

Di Maria u ankua veçanërisht për golin që u anulua në minutën e 76-të për shkak të pozicionit jashtë loje nga Casper Tengstedt dhe që bëri që ai të kërkonte shpjegime nga arbitri pas mbylljes së ndeshjes.

Kjo është hera e dytë në më pak se një muaj që Shoqata e Arbitrave Portugeze ka vënë në shënjestër Di Marian, me argjentinasin që tani rrezikon një skualifikim.