EMRAT dhe rolet e tyre në Shtetin Islamik/ “Ora News” sjell raportin e plotë për disa luftëtarë shqiptarë në ISIS
Për zbulimin e luftëtarëve shqiptarë në Siri, Gjykata për Krimet e Rënda përveç Njësisë së Anti-terrorit ka bashkëpunuar ngushtësisht me Zyrën e Atasheut Ligjor të Ambasadës së SHBA-së me qendër në Sofje, Bullgari, si dhe me letër-porositë e dërguara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Referuar dosjes hetimore që “Ora News” disponon provat e siguruara në vitin 2019 janë marrë të dhëna nga agjencitë për mënyrën se si shtetasit shqiptarë ishin regjistruar atje, rrethanat e kapjes së tyre, pozicionin që kanë pasur, gjurmë të gishtave, etj.
“Ora News” sjell të plotë raportin për disa luftëtarë në Shtetin e ISIS dhe informacionin e përcjellë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Për shtetasin Shyqeri Kaca, i cilësuar si financues i grupit dhe me rrezikshmëri të lartë, DASH-i thotë se ai identifikohet me emrin fetar “Abi-Abd-Rahman al-Albani”.
Në listën e 1825 luftëtarëve të huaj të regjistruar në ISIS, shtetasi Shyqyri Kaca është i renditur me numrin rendor 533.
Bajram Sulaj është i pandehuri tjetër për të cilin DASH-i ka dhënë informacione për llogari të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Për këtë shtetas edhe një dëshmitar ka ndihmuar agjencitë për të pasqyruar më mirë veprimtarinë e Sulajt.
Në shkresë thuhet se Sulaj njihej me pseudonimin “Byrum Valey Soleu”, ose me “Abu Ayshah al-Albani”.
Në rrethanat e kapjes sqarohet se me dt. 24 shkurt 2019 subjekti ndodhej në burgun e Shaddaidhh në Siri.
Më pas sqarohet se ai ka jetuar me vëllanë Adnan për një periudhë të shkurtër.
Një informacion me të zgjedhur DASH-i ka dhënë për të pandehurin Arbër Stefani.
Ai ishte i regjistruar me emrin fetar “Sulatmane al-Albani”, ku është identifikuar si i burgosur në vitin 2019 në burgun e Shddadih.
Në telefonin e tij janë zbuluar dy fatura transfertash parash, një letër e shkruar me shkrim dore ku janë të dhënat e shtetases D. Selimi, si dhe dy fotografi nga zona e luftimit.
Njoftimi i “NCB Uashington” e sqaron se është i lidhur me krime kundër terrorizmit.
Një tjetër shtetas ishte edhe Etien Zani. Ai njihej edhe si “Eyhtyeon Zuney”. Për këtë shtetas me 20 mars 2019 u regjistrua në mënyrë biometrike nga FBI ndërsa ishte i ndaluar nga Forcat Demokratike Siriane.
Për këtë shtetas thuhet se ai ndërroi jetë në muajin Maj të po atij viti në burgun Shaddadih.



