“American Corner” kremton 20-vjetorin, Hapësira në Bibliotekën Kombëtare dedikuar literaturës e kulturës së SHBA
Hapësira dedikuar kulturës dhe literaturës amerikane që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare kremtoi 20 vjetorin e themelimit të saj. Në aktivitet mori pjesë i deleguari i SHBA-së për Shqipërinë David Wisner dhe ministri i ekonomisë, kulturës dhe inovacionit Blendi Gonxhja, i cili premtoi rikonstruktimin e bibliotekës kombëtare.
“American Corner” hapësira në Bibliotekën Kombëtare dedikuar literaturës dhe kulturës së SHBA kremtoi 20-vjetorin e themelimit të saj.
Në aktivitet mori pjesë i dërguari i SHBA-së për Shqipërinë David Wisner. Para të rinjve të apasionuar pas leximit theksoi se angazhimi i tyre për të mësuar më tepër për kulturën dhe traditat amerikane është për t’u vlerësuar.
“Kjo hapësirë mund të duket e vogël por ka një shumëllojshmëri veprash për të cilat të rinj të shumtë kanë pasur interes dhe për këtë ndihem krenar. Shpresoj që në vijim interesi për leximin të shtohet dhe angazhimi juaj tregon se kjo gjë do të ndodhë. 20 vite bashkëpunim i jashtëzakonshëm dhe për këtë meritat i merr dhe stafi që qëndrojnë çdo ditë këtu për të informuar ata që duan të lexojnë.”
Pjesë e aktivitetit ishte dhe ministri i ekonomisë, kulturës dhe inovacionit Blendi Gonxhja. Gjatë fjalës së tij ai premtoi rikonstruktim të Bibliotekës Kombëtare pasi veprat aktualisht qëndrojnë në kuti bananesh.
Sipas shifrave të dhëna nga Biblioteka Kombëtare rreth 1400 të rinj tregojnë interes çdo vit për veprat e “American Corner”.
