Vrau babanë me katër plumba, gjendet arma e krimit. Vajza tregoi se e kishte hedhur në moçal
Disa orës pas zbulimit të vrasjes së një burri nga vajza e tij në Durrës, policia ka gjetur edhe armën e krimit.
Pistoleta është gjetur në një moçal dhe sipas të dhënave, vajza ka treguar para hetuesve vendin ku e kishte hedhur atë.
Hygerta Meta, ka rrëfyer me detaje si kreu vrasjen e të atit. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, 19-vjeçarja nuk fsheh mllefin ndaj babait, të cilin e vrau me armën e tij të punës.
Ajo ka rrëfyer se viktima, Pëllumb Meta ishte një kryefamiljar shumë autoritar dhe çdo vendim në familje merrej vetëm nga ai, duke mos pranuar mendimin e askujt tjetër.
E reja rrëfeu se ngjarja ndodhi pas një zënke të radhës me të atin, pasi ky i fundit kishte marrë vendimin për ta martuar edhe pse ajo nuk ishte dakord.
E gjithë ngjarja, sipas dëshmisë së saj, ka ndodhur në kasollën e bagëtive, ku me një plan të mirëmenduar, ajo e ka qëlluar të atin me armë zjarri. Pas krimit e ka mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e krimit shprehet se e hodhi buzë detit.
Hygerta Meta, 19 vjeç, u prangos nga uniformat blu të Durrësit si e dyshuar kryesore për vrasjen e babait të saj. Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik, teksa kronologjia e krimit fsheh ende shumë mister mbi mënyrën se si vrasja mund të jetë kryer.
