Koçiu: Rast suksesi në QSUT, për herë të parë riparimi i valvolës së aortës me metodë inovative

Ekipi i mjekëve të Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka finalizuar me sukses një ndërhyrje kardiokirurgjikale mjaft komplekse.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila tha se “ndërhyrja u realizua nëpërmjet një metode shumë efikase: riparim i valvolës së aortës me unazë sub koronare sipas metodës së Lansac”.

“Ajo që e bën të rrallë është se kjo ndërhyrje kardiokirurgjikale është realizuar për herë të parë në Shqipëri. Suksesi i tyre është dëshmi e profesionalizmit, përkushtimit dhe punës ekipore të stafit mjekësor, i cili punon pa u lodhur për ta bërë të mundur këtë”, theksoi Koçiu.

Kjo arritje, shtoi Koçiu, është një moment historik në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të ofruar kujdes cilësor e të sigurt sipas standardeve ndërkombëtare.

D.Sh.M Klodiam Krakulli tha se “valvula e e aortës është një kirurgji më sfiduese sepse për nga vetë  anatomia ajo është më komplekse. Ne kemi realizuar një teknikë inovative që quhet riparim i valvulës së aortës sipas teknikës së rimodelimit, e përforcuar kjo me një unazë nënvalvulare”.

Gjatë 2 muajve të fundit janë realizuar 4 ndërhyrje të tilla, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. “Rezultatet deri tani tek këta 4 pacientë i kemi pasur të mrekullueshme”, tha Krakulli.

Prof.Asc. Altin Veshti tha se “kjo ndërhyrje realizohet për herë të parë në kardiokirurgjinë shqiptare. ne do ta vazhdojmë këtë metodë që pacientët e rinj të kenë valvulat e tyre dhe të mos përdorin mekanike ose biologjike. Gjithmonë aty ku është e mundur”.

Ndërhyrja u realizua nga ekipi mjekësor Prof.Asc. Altin Veshti, D.Sh.M, Klodian Krakulli, Dr.Arbër Aliu, Prof.Asc. Saimir Kuçi dhe instrumentare Majlinda Malaj.