“Rama po synon të marrë nën kontroll KLSH-në”/ Bardhi: Vendimi i Kushtetueses për emigrantë tradhëti kombëtare

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka deklaruar se mazhoranca po tenton të marrë nën kontroll KLSH, duke krijuar një nënkomision për auditim kombëtar.

Në një dalje për mediat ai u shpreh se mazhoranca duhet të heqë dorë nga kontrolli i të gjitha institucioneve, ndërsa shtoi se është e paprecedentë që deputetët të uditojnë cështje konkrete brenda KLSH apo të ndërhyjnë në këtë institucion.

“Dua të shpreh shqetësimin për një tentativë të mazhorancës për krijimin e një nënkomisioni për auditim kombëtar që synon të marrë nën kontroll KLSH. Mazhoranca të heqë dorë nga kontrolli ndaj institucioneve. KLSH raporton në Kuvend por e precedentë që deputetët me nënkomision të auditojnë çështje konkrete brenda KLSH apo të ndërhyjnë në këtë institucion”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi në një deklaratë shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Italinë për emigrantët, është tradhti kombëtare.

“Dua pa dyshim të bëj një koment për vendimin e GJK për marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Keqardhje e thellë që GJK nuk u ngrit në interesin e opinionit publik, nuk kërkoi mendim të pavarur të GJEDNJ, akt i tradhtisë kombëtare. Marrëveshja përfshin Shqipërinë në hartën e vendeve që cënon të drejtat e qytetarëve. Dënoj ndërhyrjen e kabinetit të Ramës në anëtarë të GJK dhe shpreh keqardhjen që nga anëtar të betuar mbi Kushtetutë u ndërruan në Vali Bizhga në GJK. Rikonfirmoj vendimin e grupit të PD për të vijuar aksionin në Parlament”, tha mes të tjerash ai.