Amnistia Penale, Basha: PD nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme

Kryetari i PD Lulzim Basha ka deklaruar se PD nuk do të marrë nesër pjesë në seancën parlamentare kur do të votohet edhe ligji për Amnistinë Penale.

Ai ka shtuar se një ligj i tillë po përdoret nga mazhoranca me qëllim amnistimin e zyrtarëve të dënuar apo janë nën hetim.

“Amnistia Penale bëhet për të amnistuar zyrtarët e tij të korruptuar. Ata që i dënon gjykata, i liron qeveria me votat në parlament.

Nuk është hera e parë që Rama ndërhyn tek drejtësia. Është ankuar se BKH po ndërhyn tek zyrtarët e tij. Edi Rama është bërë pishman për reformën në drejtësi.

Tani që SPAK po vepron, ai po bën gjithçka për të mbrojtur zyrtarët e lartë qeveritarë të korruptuar.

Po përdor amnistinë, që të amnistojë njerëzit e tij të korruptuar, ndërsa refuzon që të amnistojë njerëzit që protestojnë ose që mbrojnë pronat e tyre.

Rama dhe qeveria e tij e korruptuar kanë frikë nga drejtësia. PD inkurajon SPAK, BKH, që të vazhdojë punën, të hetojë dhe të çojë para ligjit, të gjithë zyrtarët e korruptuar”, tha Basha.

“PD nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare, është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti kriminal e korruptiv që synon lirimin e zyrtarëve të korruptuar.

Kjo është përpjekja më skandaloze në 33 vite për të nxjerrë nga përgjegjësia penale zyrtarët e korruptuar”, tha ai.