Dorëzohet vetë në Polici një shpërndarës droge në Tiranë

Një person i dënuar me arrest me burg për prodhim dhe shitje droge është dorëzuar vetë në Komisariatin e Policisë së Rinasit. 26-vjeçari me iniciale G.Sh, banues në Tiranë, ishte shpallur në kërkim në kuadrin e megaoperacionit “Tempulli 2”.

Policia tha se “ky shtetas është vetëdorëzuar në Polici pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Me ndalimin e tij, numri i të arrestuarëve për këtë operacion shkon në 78.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gram heroinë, 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta, 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro dhe 630 paund.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.